Live

​ASK: Ndërtimtaria, aktiviteti ekonomik që shënoi rënie në 3 mujorin e fundit

17:15 / 15 Dhjetor 2022

Nga Kosova Live

Agjencia e Statistikave të Kosovës (ASK) publikon të dhënat e Bruto Produktit Vendor (BPV) për tremujorin e tretë të vitit 2022, sipas aktiviteteve ekonomike dhe me qasjen e shpenzimeve, me çmime aktuale dhe me çmime të vitit paraprak.

Sipas ASK-së, BPV-ja në TM3 2022 shënon rritje reale për 2.07%, krahasuar me tremujorin e njëjtë të vitit paraprak (TM3 2021).

“Aktivitetet ekonomike që kishin rritje në këtë tremujor ishin: Aktivitetet financiare dhe të sigurimit (12.67%); Aktivitetet shkencore, profesionale dhe teknike; aktivitetet e shërbimeve administrative dhe mbështetëse (8.61%); Informacioni dhe komunikimi (8.28%); Artet, argëtimi dhe çlodhja, aktivitetet e prodhimit të mallrave të familjeve për përdorim të vet dhe shërbime të tjera (7.49%); Tregtia me shumicë dhe me pakicë, riparimi i automjeteve dhe motoçikletave, transporti dhe magazinimi, aktivitetet e akomodimit dhe shërbimit ushqimor (4.31%); Industria nxjerrëse dhe përpunuese, energjia elektrike, gazi, avulli dhe furnizimi me ajër, furnizimi me ujë, aktivitetet e trajtimit dhe menaxhimit të mbeturinave dhe rehabilitimi (2.24%); Bujqësia, pyjet dhe peshkimi (2.18%); Aktivitetet e pasurive të paluajtshme (1.38%). Ndërsa, aktivitetet ekonomike që shënuan rënie në këtë tremujor ishin: Ndërtimtaria (-7.78%); Administrata publike, sigurimi social, arsimi dhe shëndetësia (-0.48%)”, thuhet nw njoftim.

Ndërkaq, komponentët e BPV-së sipas metodës së shpenzimeve që kishin rritje ishin eksporti i mallrave dhe shërbimeve (6.30%); importi i mallrave dhe shërbimeve (3.87%); dhe shpenzimet e konsumit final (2.64%).

Ndërsa, rënie kishte formimi i bruto kapitalit (-2.33%).

Shpërndaje në

U Kopjua