Live

Bahtiri vazhdon deklarimet për Urën e Ibrit pas thirrjes për tubim: Hapja do t’u shërbejë të gjithëve

15:46 / 07 Gusht 2024

Nga Kosova Live

Ish-kryetari i Mitrovicës, Agim Bahtiri, ka thënë se në protestën e komunitetit serb në veri të Mitrovicës morën pjesë vetëm militantët e Listës Srpska dhe jo qytetarët serbë dhe se për këtë “i falënderon” ata që nuk iu përgjigjen kësaj “proteste politike”.

“Protesta e organizuar sot në Veri të Mitrovicës, është tipike politike, dhe si e tillë nuk përbën ndonjë vlerë të veçantë e as nuk reflekton pakënaqësitë e serbëve të Veriut në lidhje me çështjen e urës. Sot u pa se vetëm lista serbe me militantët e saj (që janë të detyruar të marrin pjesë sepse janë të paguar nga Serbia) ishin pjesë e kësaj proteste andaj faleminderit serbëve të veriut që nuk iu bashkëngjiten kësaj proteste, por treguan kulturë të lartë duke injoruar tërësisht thirrjet e listës serbe për pjesëmarrje në këtë protestë”.  

Bahtiri tha se presidenti serb “nuk do të mund të ndërhyjë” në çështjet e brendshme të Kosovës, ndërsa tha se Qeveria e Kosovës do të gëzojë përkrahjen e të gjithëve pa dallim etnie.

“Kosova është shtet multietnik, ku çdokush brenda këtij shtetit do të ndihet i lirë dhe i barabartë, dhe askush jashtë tij (sikurse as Vuçiqi) nuk do të mund të jetë faktor, apo të ndërhyjë në çështjet tona të brendshme.  Qeveria e Kosovës do ta ketë përkrahjen e të gjithë qytetarëve pa dallim nacionaliteti, sepse hapja e Urës do t’i shërbejë të gjithëve!”.

Një ditë më parë, Bahtiri tha se duhet të organizohet një “tubim madhështor” për të kërkuar hapjen e Urës së Ibrit. Kjo deklaratë e tij më pas u përdor për qëllime propagande nga presidenti serb, Aleksandar Vuçiq.

Pas paralajmërimeve për protestën e mbajtur sot, Vuçiq tha se edhe në jug “do të mblidhen shqiptarët” dhe më pas i bëri thirrje KFOR’it që t’i “mbrojë serbët”.

Sidoqoftë, kjo u demantua menjëherë nga Policia e Kosovës dhe më pas kryeministri i Kosovës, Albin Kurti.

Në pjesën veriore të Mitrovicës sot pjesëtarët e komunitetit serb kanë protestuar kundër hapjes së Urës së Ibrit për qarkullimin e automjeteve.

Shpërndaje në

U Kopjua