Live

Batusha i LVV-së nga Brukseli tregon në detaje mbarëvajtjen e procedurave për liberalizimin e vizave për Kosovën

10:50 / 13 Tetor 2022

Nga Kosova Live

Deputeti Agon Batusha, me kolegë tjerë nga Kuvendi i Kosovës po i ndjekin nga afër zhvillimet për Kosovën në Bruksel.

Ai në një lidhje të drejtpërdrejtë në Sytë 7 në Klan Kosova, tregoi në detaje mbarëvajtjen e procedurave për liberalizimin e vizave për Kosovë.

Sipas tij, sot është një mbledhje e grupit punues, bashkë me përfaqësuesit e shteteve anëtare, apo Covebi, përfaqësues të cilët do të diskutojnë për liberalizimin e vizave për Kosovën.

“Kur themi për liberalizimin e vizave, nënkuptojmë një sërë procedurash të tjera, që në rast se këta pajtohen sot, do të fillojnë, që do të marrin kohë për tu përfunduar”, tha Batusha.

Deputeti i Vetëvendosjes, në Sytë 7 në Klan Kosova shtoi se “nuk do të thotë që nëse ka pajtueshmëri brenda grupit punues, në këtë takim, do të liberalizohen sot vizat, por do filloj një fazë ose do të ndryshoj kjo “status quo” ku kemi mbet deri sot”.

Sipas tij, grupi punues është një grup teknik bashkë me Covebin, që merret me çështje politike, me vendimmarrje politike. Sipas deputetit të Kuvendit të Kosovës, “sot është hera e parë që po diskutohet në këtë grup punues, pasi që Kosova asnjëherë nuk ka qenë në agjendën e këtyre takimeve”.

Sigurisht, ai tha se presin lajme pozitive, edhe pse tregoi se janë në dijeni shumë për qëndrimin e disa shteteve.

Pas këtij takimi të sotëm, nëse ky grup punues vendos në të mirë të heqjes së vizave për Kosovën, atëherë, Batusha tha se nisin edhe një mori procedurash tjera.

Ai në Sytë 7 në Klan Kosova, tha se “pas këtij takimi, nëse ka qëndrim pozitiv, do të ketë takim të përbashkët të përfaqësuesve të Komisionit, Parlamentit dhe Këshillit, të cilët do vendosin se a do vazhdohet tutje, pra të vendoset në agjendën e këtyre institucioneve, votimi, apo diskutimi dhe votimi i liberalizimit të vizave me Kosovën. Pastaj është votimi i kësaj marrëveshje. Pas kësaj, do të ketë një mbledhje të Komisionit parlamentar të Bashkimit Evropian që do të diskutoj për këtë çështje. Do të ketë votim në Komision dhe pastaj votim në Parlamentin Evropian. Pas kësaj përfaqësuesit e shteteve anëtare, apo ambasadorët e përhershëm të shteteve anëtare do të votojnë mbi këtë vendim, dhe pastaj do kemi një votim tjetër të Këshillit të ministrave e pastaj nënshkrimin, pas nënshkrimit publikimin, e pas publikimit do vendosen afatet dhe hyrja në fuqi”.

Kujtojmë se Komisioni Evropian si institucion që përfaqëson interesat e BE-së, janë për liberalizim vizash. Po ashtu Parlamenti Evropian, që përfaqëson interesat e qytetarëve të BE-së, është për liberalizim. Vetëm, Këshilli, që përfaqëson interesat e shteteve veç e veç, po ka skepticizëm

Shpërndaje në

U Kopjua