Live

Besa Ismaili për kabinetin e Qeverisë Kurti: E qartë tashmë që shteti i Kosovës për disa aty është më pak i rëndësishëm sesa lideri politik, partia dhe pushteti

12:28 / 08 Shtator 2023

Nga Kosova Live

SHKRUAN: Besa Ismaili(ish-deputete e PDK-së)


Lideri yt është partia jote, por lideri yt nuk është shteti im, z.ministër!

Në Serbi, haptas rishfaqen parullat që thërrasin në luftë dhe gjenocid në Kosovë:

-Kur Ushtria të kthehet në Kosovë-

Qeveria e Kosovës, gjykuar nga deklaratat dhe nga mosveprimi i saj, nuk duket e shqetësuar për shtetin e Kosovës. Ndryshe, do të ishte në veprim 24/7 diplomatik, duke reaguar dhe kontaktuar qendrat e sigurisë ndërkombëtare të cilat mbështesin kapacitetet ushtarake të Serbisë. Ushtria e cila trajnohet dhe mbështetet nga Perëndimi, nuk mund të kthehet në Kosovë. Por, mbi qeverinë e Serbisë mund të ushtrohet presion e sanksione ndërkombëtare deri në eliminim të këtyre strukturave kriminale paraushtarake.

Qytetarët me të drejtë çuditen dhe indinjohen nga deklaratat patetike të ministrit të punëve të brendshme z. Sveçla, (ministri i ri i mbrojtjes as që dëgjohet gjëkundi) i shoqëruar edhe nga disa deputetë të shumicës, që shqetësohen për gjoja kërcënime ndaj kryeministrit Kurti.

Kosova kërcënohet si tërësi dhe si shtet, ndërkohë që vëmendja riorientohet si diskurs në kërcënime të pretenduara ndaj kryeministrit Kurti, për shkaqe elektorale dhe populiste.

E qartë tashmë që shteti i Kosovës për disa aty është më pak i rëndësishëm sesa lideri politik, partia dhe pushteti. Që lideri është partia dhe që shteti vlen dhe shërben vetëm për sa kohë lideri i tyre udhëheq me të, në të kundërtën shteti dhe shoqëria bëhen armiku.

Por, ky nuk është rasti me shumicën prej nesh për të cilët Kosova qëndron mbi gjithçka dhe çdokend.

Një Kosovë e sigurtë nga Serbia prodhon siguri jo vetëm për qytetarët e saj dhe liderët e tyre, por edhe për rajonin dhe më gjerë. Dhe këtë fakt për të cilën as bashkësia ndërkombëtare nuk ka dilema, duhet ta mësojnë eksponentët e qeverisë Kurti.

Shpërndaje në

U Kopjua