Shefi i grupit parlamentar të AAK-së, Besnik Tahiri, ka thënë se është shqetësuese se shumë zyrtarë publikë edhe pas dy muajve s’e dinë saktë se sa i kanë pagat apo kush dhe sa shtesa marrin.
Sipas tij kjo ka vetëm se ka sjellë paqartësi, pabarazi, por ka krijuar pasiguri të madhe tek ta.
Tahiri u shpreh se në këtë kohë krize, përtej halleve ditore, kjo paqartësi është nënvlerësim i punës.
Reagimi i plotë:
Mijëra zyrtarë publikë, edhe dy muaj pas, nuk e dinë sa i kanë pagat, kush merr shtesa, në cilin rangim janë. Kjo, jo vetëm se ka sjellë paqartësi, pabarazi, por ka krijuar pasiguri të madhe tek zyrtarët publikë. Në çdo institucion publik, është krijuar atmosferë e zymtë, diskutimi kryesor është se sa është paga, pakënaqësi e dëshpërim. Vendimmarrësit në vend se të shtrijnë komunikimin, kanë vendosur nga muaji në muaj të nxjerrin një arsyetim.
Në këtë krizë, përtej halleve ditore, kjo paqartësi është nënvlerësim i punës, e këtu më së shumti preken profesionistët që po zgjedhin ta lënë sistemin publik. Për të arritur një nivel të tillë përgatitje duhet prej 3-5 vjet, e ka raste si në shëndetësi deri në 6-10 vjet. Që i bie, se ne po rrezikojmë funksionet vitale të sektorëve. Me urgjencë, duhet që të procedohen pagat sipas ligjit, të vendoset komunikim e dialog për të siguruar qëndrueshmërinë e sistemit, e për të parë presionin që po vjen nga trendi i largimit të profesionistëve.