Live

Bislimi e Petkoviq sot Bruksel për “zbatimin urgjent” të marrëveshjes

08:11 / 02 Korrik 2024

Nga Kosova Live

Kryenegociatorët e Kosovës dhe të Serbisë, Besnik Bislimi dhe Petar Petkoviq, do të takohen sot në Bruksel në kuadër të dialogut për normalizimin e marrëdhënieve.

Zëdhënësi i BE-së për politikë të jashtme dhe siguri, Peter Stano, tha se prioritet në takim do të jetë “nisja urgjente e zbatimit të Marrëveshjes për rrugën drejt normalizimit të marrëdhënieve“.

Ndërkaq, emisari i Bashkimit Evropian, Miroslav Lajçak i ka cilësuar si shumë sfiduese bisedimet e javës së kaluar me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti dhe presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq, shkruan gazeta online Reporteri.net.

Kurti dhe Vuçiqi nuk u takuan për shkak të kushteve që vendosi Kurti për këtë takim, teksa Lajçaku është shprehur se nuk ka pasur progres në implementimin e Marrëveshjes për rrugën drejt normalizimit.

“Javën e kaluar, Borrell dhe unë mirëpritëm presidentin Vuçiq dhe kryeministri Kurti në Bruskel për një tjetër takim të dialogut Beograd-Prishtinë”.Fatkeqësisht nuk pamë asnjë progres në implementimin e Marrëveshjes së Normalizimit. Diskutimet ishin më sfiduese se kurrë. Sidoqoftë, puna jonë do të vazhdojë nesër kur unë do të mbledhë kryenegociatorët për të punuar në hapat konkret në zhbllokimin e implementimit të marrëveshjes”, ka shkruar Lajçak.

Shefi i diplomacisë së Bashkimit Evropian, Josep Borrell, kishte konfirmuar se në Bruksel nuk është mbajtur takim trepalësh, duke theksuar se Kosova nuk ishte e gatshme për një takim të tillë.

Ai tha se gjatë takimeve dypalëshe Kurti paraqiti tri kushte për angazhimin e mëtejmë në procesin e normalizimit të raporteve me Serbinë.

“E para, formalizimi i Marrëveshjes Bazë përmes nënshkrimit nga krerët respektivë të shteteve. E dyta, tërheqja e letrës zyrtare e dorëzuar në BE nga ish-kryeministrja serbe, Ana Bërnabiq, më 13 dhjetor 2023. Dhe e treta, dorëzimi i Millan Radoiçiqit dhe grupit të tij paramilitar terrorist tek autoritetet gjyqësore të Kosovës”, tha Borrell gjatë një konference për media. 

Shpërndaje në

U Kopjua