Në takimin e parë zyrtar me ambasadorin e ri të Turqisë në Kosovë, Sabri Tunç Angili, zëvendëskryeministri, Besnik Bislimi, i uroi mirëseardhje e suksese ambasadorit në detyrën e tij, duke potencuar marrëdhëniet e shkëlqyera të bashkëpunimit mes Kosovës dhe Turqisë.
Ambasadori u shpreh falënderues për mikpritjen në Kosovë si dhe theksoi mirënjohjen e thellë për ndihmën dhe solidaritetin e ardhur nga Kosova ndaj popullit turk në rastin e tërmetit të fuqishëm që goditi Turqinë.
Në njoftimin e Zyrës së Kryeministrit bëhet e ditur se në këtë takim u fol edhe për procesin e liberalizimit të vizave për Kosovën.
“Në këtë takim u bisedua për mundësitë e thellimit të marrëdhënieve bilaterale, veçanërisht në ekonomi, ku ekziston potencial madhor në rritjen e bashkëpunimit mes dy vendeve tona”.
“Zëvendëskryeministri Bislimi foli dhe për objektivat strategjike të Kosovës, siç janë anëtarësimi në Këshillin e Evropës, rrugëtimi drejt Bashkimit Evropian, përfundimi i procesit të liberalizimit të vizave dhe aplikimi në Partneritetin për Paqe në NATO. Palët potencuan dhe rëndësinë e nevojën për stabilitet, paqe dhe siguri në rajonin e Ballkanit Perëndimor si dhe biseduan edhe mbi procesin e dialogut”, thuhet tutje në njoftim.