Live

Boris Johnson, i treti i vërteti?

08:46 / 12 Gusht 2019

Nga Kosova Live

Shkruan: Jorgji Kote

Nëse ka një fitues të deritanishëm të Brexit ky është padyshim Boris Johnson. Para një muaji ai mori kreun e Partisë Konservatore, ndërsa dy javë më parë u sistemua si kryeministër në Downing Street 10. Eshtë i treti brenda këtyre tre viteve pas largimit me turp të dy paraardhësve të tij, David Cameron dhe Theresa May; dihet se me “karemin” e Brexit ata kërkuan të çimentonin pozitat në parti, por siç e thotë dhe anglezi “shkuan për lesh dhe u kthyen të qethur”.

Në respekt të kohës së lexuesit nuk po zgjatemi në hollësitë e kësaj dosjeje të nxehtë, të cilat i kemi trajtuar në shkrimet e mëparshme, sidomos në “Përse Brexit s’po gjen dot daljen” dhe “Drejt Exit nga Brexit”.

Tanimë shumica dërmuese e dilemave të tij të mëparshme janë ezauruar. Siç dhe pritej, asnjë demarsh i Theresa May nuk dha rezultat përballë qëndrimit stoik dhe konseguent të BE-së; kryenegociatori i BE-së, Michel Barnier, e ka “qëndisur” Marrëveshjen e Brexit në mënyrë të tillë që asaj të mos i lëvizet asnjë presje.

Tani në krye të këtij procesi është vënë ithtari dhe frymëzuesi i saj më i madh, Boris Johnson, me shumë zhurmë e bujë dhe premtime bombastike. Madje ka nisur fushatën më të madhe propagandistike të pasluftës me një fond prej 110 Milion Euro, duke u premtuar qiejt britanikëve, por pa alternativa bindëse.

Ai ka shpallur largimin më 31 Tetor pa Marrëveshje ( No deal) nëse BE-ja nuk do të pranojë bisedime të reja. Ndonëse e di mirë se BE-ja nuk ka si të bëjë lëshime për Johnson kur nuk “ lëshoi pe “ përballë Theresa May, sepse bëhet fjalë për një marrëveshje tejet të ndërlikuar, për të cilën u shpenzuan 18 muaj kohë.

Në fakt, Johnson si populist dhe euroskeptik i betuar kërkon të shfrytëzojë Brexit si një sebep për të shpallur një luftë frontale ndaj të gjithëve brenda dhe jashtë Ishullit: në radhë të parë ndaj BE-së, qeverisë së mëparshme, shumë deputetëve të vet, opozitës laburiste, kundërshtarëve të Brexit ( remainers) Irlandës së Veriut, Skocisë dhe Wellshit. Me akuzën populiste se ata dhe vetëm ata janë përgjegjësit për moszbatimin e vullnetit të shumicës së shprehur në Referendumin e 23 Qershor 2016. Ndaj jo rastësisht dhe qeverinë e ka quajtur “kabinet lufte” për të imituar Çurçillin më 1940, veçse në kushte dhe objektiva krejtësisht të ndryshme. Në përbërje të tij tani janë “skifterët” e Brexit.

Këtë luftë që pritet të jetë tejet e ashpër dhe e vështirë për parashikime të sakta e shpalli sekretari i Shtetit për Brexit, Stephen Barclay me editorialin e tij më 2 Gusht në “Daily Mail” ; ai kërkon rishikimin e Marrëveshjes së Nëntorit 2018 për shkak të “ndryshimit të realiteteve politike në BE” meqenëse sipas tij tashmë “61 për qind e eurodeputetëve janë të rinj”. Por Barclay harron se brexitasit humbën shumë vende, se dy grupimet tradicionale me gjithë “firon” kryesojnë Parlamentin Evropian bashkë me Liberalët dhe të Gjelbërit anti-Brexit si fituesit më të mëdhenj të zgjedhjeve evropiane të 25 Majit.

Kryesorja, Marrëveshja e Brexit nuk është mandat i Europarlamentit, por e Komisionit dhe Këshillit Evropian, të cilët e kanë thënë troç, me zë të lartë dhe në mënyrë të përsëritur “ JO-” në e tyre.

Pavarësisht nga propaganda shurdhuese që po bën Kabineti i Johnson në këtë gusht përvëlues, do theksuar se “divorci” pa marrëveshje nga BE-ja ( no deal) nuk është “bukë e djathë” apo “një copë kek” siç thotë anglezi. Kjo pasi dhe nëse Johnson do t’ia arrijë të marrë miratimin e nevojshëm nga Parlamenti tejet skeptik dhe kundërshtues, 31 Tetori pa marrëveshje do të krijonte një kaos të vërtetë me shumë më tepër pasoja për Britaninë se për Evropën; veç të tjerash, mallrat dhe shërbimet do t’u nënshtrohen kontrolleve dhe procedurave të shumta, radhëve të gjata të cilat do të ulin ndjeshëm aftësinë e tyre konkurruese me pasoja të rënda në punësimin e njerëzve, arsim, shëndetësi, etj.

Këto rreziqe i paralajmëroi më 2 Gusht edhe Guvernatori i Bankës Qendrore Britanike (CBE) Mark Carney kur deklaroi se “ divorci “ brutal me BE-në do jetë një tronditje e madhe për Britaninë e Madhe. Më të prekurat, sipas Carney, do të jenë industria automobilistike, e transportit, farmaceutike, kimike dhe e mallrave ushqimore, sidomos ato që prishen shpejt.

Ndërsa më 3 gusht, Konfederata Britanike e Industrisë ( CBI) njoftoi se nga dalja pa marrëveshje do të preken direkt 24 nga 27 degë të ekonomisë britanike. Sa për fushën e arsimit, SOS-in e kanë dhënë disa muaj më parë plot 4000 rektorë britanikë.

Lind pyetja : “dakord, por aq naivë janë këta breksitasit dhe Johnson sa të mos e kuptojnë se kështu si po veprojnë po “i bien murit me kokë? “ Në fakt, siç pohojnë shumë ekspertë, Johnson i njeh mirë këto realitete. Mirëpo, me mendësinë dhe synimet e tij ai kërkon t’i imponohet me çdo kusht BE-së, me retorikë populiste dhe euroskeptike si ajo e tre viteve më parë; kështu, ai kërkon të përçajë dhe t’i shpallë luftë BE-së madje në “ fushën “ e vet! Mirëpo me BE-në, është e vështirë t’i ecë loja, sepse ajo dihet që nuk është projekt lufte, qoftë dhe tregtare, por projekt paqeje, kështu ka lindur dhe kështu do të mbetet.

Në këtë luftë të papërgjegjshme, Johson nuk ka asnjë aleat brenda BE-së, as në Grupin e Vishegradit apo dhe në Romë. Kjo pasi Brexit i ka bindur ato se është më e udhës dhe më e lehtë ta ndryshosh BE-në nga brenda se sa me një “exit” që nuk gjen dot dalje. Ndaj, Ministri i Jashtëm Raab po zhvillon turneun e parë në SHBA, Meksikë dhe Kanada me premtime për marrëveshje për kompensimin e humbjeve nga BE-ja. Mirëpo dhe kjo nuk ngjit shumë, sepse volumi tregtar i Britanisë me BE-në për vitin 2018 ishte mbi 700 miliard Euro ose mbi dy herë më i madh se me SHBA, Kanada dhe Meksikë të marrë së bashku!

Një front po aq të gjerë dhe të madh lufte Johnson ka hapur dhe brenda vendit. Veç daljes pa marrëveshje, ai kërkon me çdo kusht përshkallëzimin e luftës së brendshme politike, forcimin e pozitave të elitës së tij brenda Partisë Konservatore, bashkë me dobësimin e kundërshtarëve të tij dhe të Brexit. Një sfidë e vërtetë mamuthiane! Dhe pa kurfarë alternative, por vetëm duke denoncuar qeverinë e mëparshme për “marrëveshjen skandaloze” BE-në e ngurtë dhe Eurokracinë e Brukselit.

Terreni tjetër tejet i rrezikshëm shpërthyes është te dy Irlandat. Johnson refuzon të pranojë klauzolën e ashtuquajtur “backstop” në Marrëveshjen në fjalë ; mospranimi i saj do të çonte ne rivendosjen e një kufiri të ashpër fizik dhe doganor midis Irlandës së Veriut si pjesë e Britanisë dhe Republikës së Irlandës si antare e BE-së. Për pasojë, mund të rindizej konflikti i dhunshëm ndërmjet katolikëve irlandezë, partizanë të ribashkimit dhe protestantëve veriirlandezë, mbështetës të Mbretërisë pas paqes së vendosur të “ premten e shenjtë “ më 1998. Për më tepër, Irlanda e Veriut ka një vartësi të madhe nga Irlanda dhe në ato kushte atje por dhe në Skoci nacionalistët mund të “ marrin yrysh “ dhe të përshkallëzojnë veprimtarinë e tyre të dhunshme. Të mos harrojmë se qeveria britanike mbahet në këmbë falë 10 deputetëve të Partisë së saj DUP, kundërshtarë të vendosur të Brexit pa marrëveshje.

Ndërsa Skocia, pikë tjetër e nxehtë, ka votuar 62 për qind në favor të qëndrimit në BE në Referendumin 2016 ; kështu si po vepron Johnson, ajo kërcënon se do të përsërisë referendumin e saj për pavarësi në vitin 2020 me qëllim që më vonë t’i bashkohet sërish BE-së. Kësisoj, siç përmendet në median e huaj, ishulli rrezikon që më vonë të ndryshojë emrin dhe të quhet Britania e Vogël !

Gjithashtu, Johnson shpreson që, nëse do ta ketë të pamundur daljen pa marrëveshje nga BE-ja, për shkak të trysnisë parlamentare dhe publike në rritje ë shtator – tetor, atëherë ai mund të shpërndajë parlamentin dhe të zhvillojë zgjedhjet e reja të parakohshme, me shpresë që të fitojë shumicën e nevojshme për t’i hapur rrugën Brexit pa marrëveshje kundër “sabotatorëve” të zbatimit të vullnetit të popullit, armiqve të brendshëm dhe të jashtëm në Bruksel. Por, ai pëlqen që këto zgjedhje t’i bëjë pas 31 tetorit, kur të ketë dalë nga BE-ja “me hir ose me pahir”

Mirëpo këtu ka shumë të ngjarë t’i “hasë sharra në gozhdë”, sepse qysh tani ka plot deputetë konservatorë që po i thonë ashpër “ ndalu beg, se ka hendek” Ndryshe nga Johnson, kundërshtarët e tij dhe opozita laburiste kanë synime dhe axhendë shumë më të shpejtë. Sapo të mbarojnë pushimet e gushtit dhe të çelet parlamenti britanik më 3 shtator, ata do të kërkojnë menjëherë votëbesimin e tij, vetëm se duhet të gjejnë më parë me konsensus kryeministrin dhe qeverinë alternative. Kësisoj, zgjedhjet e parakohshme mund të zhvillohen dhe përpara 31 tetorit, gjithsesi e vështirë nisur nga procedurat teknike parlamentare dhe se është Johnson ai që cakton datën e këtyre zgjedhjeve.

Së fundi, po t’i besojmë thënies së urtë “ duket dielli qysh në mëngjes” gjasat nuk duken fare premtuese për Johnson dhe Britaninë e Madhe; ajo ndodhet para një kaosi dhe lëmshi ku “nuk e merr vesh qeni të zonë”. Edhe “Muaji i Mjaltit” për Johnson po rezulton  “i thartë”. Në turin e tij të parë në Skoci, Irlandën e Verit dhe Wellsh atë e pritën vërtet “me këmbët e para”. Më 1 gusht, kandidati i tij për deputet në Wellsh humbi keq përballë anti-Brexit. Për pasojë, Johnson me DUP të Irlandës së Veriut ka vetëm një deputet më shumë në parlamentin britanik.

Por, telashet nuk sosin këtu për Borisin. Ai po përballet qysh tani me një valë të madhe në rritje lidhur me mundësinë për një referendum të dytë për Brexit, të cilin tani e mbështesin plotësisht dhe laburistët. Nëse Johnson nuk i ecën me Brexit, ka të ngjarë që ky Referendum të zhvillohet në një kohë me zgjedhjet e reja të parakohshme. Ish ministrat konservatorë Hunt dhe Hammond po bashkëpunojnë aktivisht me opozitën laburiste lidhur me këtë alternativë mbështetje të gjerë publike. Përsëritja e këtij referendumi është logjike dhe kushtetuese, sepse kur kanë kaluar mbi tre vjet nga referendumi i mëparshëm, kur janë rrëzuar dy kryeministra dhe shumë qeveritarë, kur BE nuk ka ndërmend të tërhiqet asnjë cm nga pozicionet e saj e “ dhe kur nuk mbetet më asnjë alternativë tjetër bindëse, Brexit nuk ka shanse të gjejë një dalje optimale. Vetëkuptohet se në një rast të tillë, shumica do të votojë në favor të qëndrimit në BE duke zgjidhur përfundimisht këtë problem të madh në një situatë “ win – win “ d.m.th. ku të gjithë, me përjashtim të Johnson të jenë fitues.

Ai ka arritur vërtet të fitojë deri tani dy apo tre beteja, por kurrsesi luftën dhe aq më pak paqen e qëndrueshme. Sepse nuk mund të fitosh me një kauzë që ka lindur e vdekur, siç ishte dhe mbetet Brexit. Veç kësaj, “ kush mbjell erë, korr furtunë “ Ndaj, kurrkush nuk mund të thotë nëse Johnson do të jetë “i treti i vërteti”.

Shpërndaje në

U Kopjua