Live

Borrell pak më i balancuar për Veriun, por ende s’po e kënaq Kosovën

17:05 / 13 Dhjetor 2022

Nga Kosova Live

Përfaqësuesi i Lartë i Bashkimit Europian, Josep Borrell, u tregua i ashpër me grupet kriminale në veri të Kosovës kur ata hodhën një shok-bombë kundrejt një patrulle vëzhguese të policisë së EULEX, duke thënë se BE-ja nuk do t’i tolerojë këto sulme mbi policët europianë.

Mospërmendja e sulmit ndaj Policisë së Kosovës – sulm që përfundoi me një polic të hospitalizuar për shkak të plumbit që mori në veri – çoi në komente të ashpra ndaj Borrellit nga opinioni kosovar e madje edhe nga politikanët.

Kryediplomatja Donika Gërvalla akuzoi drejtpërdrejt se përdorimi i një gjuhe të tillë të Borrellit, që s’e dënon presidentin serb për agresionin e tij të hapur, inkurajon përshkallëzimin e mëtejshëm.

Pas këtyre reagimeve, Borrell në një konferencë për media u ngut ta përmirësonte veten, duke përmendur edhe Policinë e Kosovës.

“Që nga gushti po përjetojmë një rreth vicioz konfrontimesh, provokimesh dhe reagimesh që është përshkallëzuar në ditët e fundit duke çuar në incidente serioze të sigurisë, duke përfshirë një sulm kundër misionit tonë EULEX dhe ndaj policisë së Kosovës”, tha Borrell, duke theksuar që “kjo situatë duhet të marrë fund”.

Si hap konkret të ndërmarrë nga BE, Borrell e paraqiti vendimin për të dërguar përforcime shtesë në misionin EULEX dhe tregoi se ka kërkuar nga emisari special, Miroslav lajçak, që të udhëtojë drejt rajonit për të vlerësuar situatën dhe më pas të informojë udhëheqësit e BE-së.

Edhe deklaratat e përditësuara të Borrellit nuk po i kënaqin krerët institucionalë të Kosovës.

Kryeparlamentari Glauk Konjufca tha se është i zhgënjyer me reagimin e ndërkombëtarëve rreth situatës së re të krijuar në Kosovë. Sipas tij, ata nuk po e adresojnë saktë përgjegjësinë pse kjo po ndodh edhe prej nga po i vjen kjo Kosovës.

“Me orkestrimin që po vjen nga ana e Vuçiqit, pra sikur po mundohen ta amnistojnë Vuçiqin prej krejt kësaj që po ndodh”, u ankua Konjufca.

Ai tha se asgjë që vjen prej Serbisë nuk është spontane, por e orkestruar atje pë të luftuar shtetësinë e Kosovës.

“Deri tani nuk kemi parë një gjuhë dhe ndërhyrje të qartë të Bashkimit Europian për t’i ndëshkuar këto veprime të paligjshme dhe antikushtetuese të Serbisë brenda Republikës së Kosovës. Nuk kam parë një reagim të fuqishëm të bashkësisë ndërkombëtare. Ndonëse reagime kishte pas sulmit ndaj Policisë së EULEX’it, por nuk ka një dënim të saktë dhe ndërlidhje të veprimeve që po ndodhin në pjesën e veriut të Kosovës”.

Të kënaqur me Borrellin s’janë as udhëheqësit në Serbi.

Aleksandar Vuçiq nuk ka dashur të komentojë deklaratën e Borrellit se barrikadat dhe sulmet ndaj EULEX janë të papranueshme. Presidenti i Serbisë konsideroi se ato që tha Borrelli për veriun janë pasoja të një deklarate të tij të mëhershme.

“Nuk dua të përgjigjem, sepse kam frikë se reagimi i tij sot është pasojë e sulmit që përjetoi kur e tregoi fajtorin e vërtetë për moskonstruktivitetin dhe dështimin e negociatave në Bruksel”, tha Vuçiq.

Borell ishte në qendër të akuzave nga Kryeministri Kurti e Presidentja Osmani kur shefi i Qeverisë e takoi muajin e kaluar në Bruksel dhe nuk ia dolën të bëjnë marrëveshje për targat. Borrell u akuzua se e mbajti anën e Serbisë.

Shpërndaje në

U Kopjua