Live

Canaj thotë se Gërvalla nuk e ka idenë se çka është politika e jashtme

18:53 / 17 Janar 2023

Nga Kosova Live

Ish-zëvendës ambasadori i Kosovës në Gjemani, Blerim Canaj ka thënë se çnjohjet e shtetit të Kosovës po ndodhin për shkak të mungesës së kompetencës dhe pasivitetit të politikës së jashtme në krye me ministren, Donika Gërvalla.

Sipas tij, ministrja Gërvalla ka bërë “persekutimin” politik dhe ka larguar diplomatët me përvojë për t’i zëvendësuar ata me diplomatë të rinj siç tha ai, të papërvojë.

“Çnjohjet po ndodhin për shkak të moskompetencës dhe pasivitetit të politikës sonë të jashtme. Në vend se tani të kemi misione tona, ato pak misione të mbushura më diplomatë tani të gjitha misionet janë me një person dy apo tre. Pastaj e kemi pa edhe këtë periudhën e persekutimit politik të cilin e bëri Gërvalla dhe largoi diplomatë të cilët kanë qenë të trajnuar edhe të cilët së paku e njohin natyrën e politikës së jashtme, e kanë rrjetin për shkak se është tejet e rëndësishme për një diplomat që të ketë një rrjet. Dhe tash paramendon një diplomat që ka vendos një rrjet e ka ndërtua, një rrjet brenda dhjetë viteve. Kjo mundohet ta zëvendësojë me një diplomat të ri i cili nuk ka absolutisht kurrfarë përvoje”. tha ai.

Tutje Canaj në emisionin “Ditari” në Tëvë 1, theksoi se nuk mund të pritet reformim në politikën e jashtme nga një ministre e cila sipas tij nuk e ka idenë se çka është politika e jashtme.

“Më e keqja është se edhe brenda Ministrisë nëse e shohim strukturën e re të Ministrisë së Jashtme, edhe pse është e kundërligjshme me udhëzim administrativ e kanë hequr edhe drejtorin e përgjithshëm ai i cili i koordinon misionet diplomatike dhe i cili i përgjigjet ministrit të jashtëm për punën e misioneve diplomatik, e sot te ne ai nuk ekziston. Nëse e shohim ndërtimin e ministres së Jashtme ne kemi të bëjmë me një person që nuk ka idenë se çka është politika e jashtme, atëherë si presim ne që të bëjë reformim në politikën e jashtme dikush që nuk e ka idenë se çka është politika e jashtme”, tha ai.

Ndryshe nënkryetarja e PDK-së, Vlora Çitaku ka thënë se sa i përket diplomacisë, Qeveria Kurti ka dështuar deri në atë masë sa shteti i Kosovës nuk po arrinë të mirëmbajë dhe kultivojë raportet as me vendet që e kanë njohur më parë.

Shpërndaje në

U Kopjua