Live

Çitaku: Për më shumë se një vit, Kosova e ka reduktuar procesin e dialogut në targa e letërnjoftime

08:23 / 06 Janar 2023

Nga Kosova Live

Nënkryetarja e Partisë Demokratike të Kosovës, Vlora Çitaku, ka folur në televizionin publik për deklarimet e Beogradit për çnjohjet ndaj Kosovës dhe për procesin e dialogut mes Kosovës dhe Serbisë.

Çitaku  deklaroi se ajo që prodhoi shumë zhurmë, është konferenca e presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq, i cili tha se janë tërhequr 9 njohje ndaj pavarësisë së Kosovës. Sipas saj, kjo është bërë për të prodhuar konfuzion.

“Ata janë në gjendje të thonë shumë gjëra, por kjo nuk më shqetëson”,tha Çitaku . “Ajo që më shqetëson  mua është kur nuk ka reagim adekuat nga diplomacia e Kosovës”.

Sipas nënkryetares së PDK-së në një situatë të tillë, Qeveria e Kosovës duhet të dalë dhe të tregojë nëse këto çnjohje janë apo nuk janë të vërteta.

Ajo tha se ambasadori amerikan e ka marrë përsipër atë që  do të duhej  ta thoshte  kryeministri Albin Kurti.

Çitaku  u shpreh se e vërteta e dhimbshme është që plani franko- gjerman si i tillë çfarë është sot, nuk e ka njohjen reciproke në thelb.

“Njohjen reciproke si produkt thelbësor i marrëveshjes finale në mes Kosovës dhe Serbisë, e kemi katandisur procesin në këtë pikë ku thuhet që njohja tani nuk është në tavolinë”.

“Tani kemi një marrëveshje e cila nuk e ka njohjen reciproke në qendër, por kemi një marrëveshje e cila në fund më shumë shtron pyetje sesa që jep përgjigje”, deklaroi Çitaku në RTK.

Sipas saj, nëse ka një marrëveshje e cila prodhon një status-quo të re, por jo një fund të konfliktit të ngrirë mes Kosovës dhe Serbisë, atëherë kryeministri Kurti duhet të japë dorëheqje.

Çitaku deklaroi se kryeministri Kurti duhet të përgjigjet se si është e mundur që nga letra e Presidentit Joe Biden, ku flitet për produkt të njohjes finale, është katandisur në këtë gjendje.

“Për më shumë  se një vit Kosova e ka reduktuar procesin e dialogut në targa, në letërnjoftime”.

Ajo tha se i tërë sovraniteti i Kosovës u reduktua në këto pika, në vend se të shfrytëzohej konteksti i ri gjeopolitik.

Shpërndaje në

U Kopjua

SONDAZH

Kë do e votoni me 9 shkurt 2025 për kryeministër?

Shiko Rezultatin

Loading ... Loading ...