Nënkryetarja e PDK-së, Vlora Çitaku së bashku me Bekim Çollakun, Artan Behramin dhe Arlinda Ramadanin sot ishin në Hagë.
Ata takuan ish-presidentin, Hashim Thaçi, ish-kryeparlamentarin, Kadri Veselin dh eish-deputetin, Rexhep Selimi, shkruan kosovalive.net
“Sot bashkë me Bekimin, Artanin e Arlindën e vizituam Presidentin Thaçi. Shkurt takuam edhe Kadriun dhe Rexhën. Si gjithmonë, i gjetëm me disponim të mirë. Plotë besim në drejtësi. Beteja të cilën baca Jakup, Thaci, Veseli e Selimi e kanë para vetës është betejë për të kaluarën dhe të ardhmen tonë si komb. Por nuk ka dilemë se maskat do të bien, dhe luftëtarët tanë do të kthehen fitimtarë. Vetëm njerëzit e jashtëzakonshëm ballafaqohen me sfida të jashtëzakonshme. Procesi gjygjësor pritet të fillojë së shpejti. Besojmë që e vërteta dhe drejtësia do të ngadhnjejë përpallë shpifjeve dhe inskenimeve”, thuhet në postimin e Çitakut.
Ish-krerët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi dhe Rexhep Selimi, tashmë i kanë mbushur dy vjet që po mbahen në paraburgim nga Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë.
Procesi ndaj ish-krerëve të UÇK-së pritet të jetë një gjykim maratonik. Megjithatë, OVL e UÇK-së nuk pret proces të shpejtë e transparent ndaj ish-krerëve të UÇK-së në ballafaqim me drejtësinë.
Kosovalive.net, dje ka pyetur shefen për Informimit dhe Komunikimit Publik në Gjykatën Speciale, Angela Griep se a është gjithçka gati tashme që procesi gjyqësor të nis në muajin mars ndaj Thacit, Veselit, Krasniqit dhe Selimit.
Ajo ka deklaruar se deklaratat hyrëse janë planifikuar të fillojnë më 1 mars.
“Deklaratat hyrëse janë planifikuar të fillojnë më 1 mars. Kushdo që është i interesuar t’i ndjekë ato mund ta bëjë këtë nëpërmjet faqes së internetit të Dhomave të Specializuara, në shqip, serbisht ose anglisht”, ka deklaruar dje Griep, për Kosovalive.net.