“Kosova vazhdimisht shpërblehet për jokonstruktivitetin dhe lëvizjet e njëanshme, ndërsa kërcënohen ata që janë korrekt si Serbia”.
Kështu është shprehur ministri i Jashtëm i Serbisë, Ivica Daçiq.
Lidhur me deklaratën e kryeministrit të Kosovës Albin Kurti se dialogu me Beogradin nuk është prioritet i tij, se ai kurrë nuk do ta formojë Asociacionin e Komunave me Shumicë Serbe dhe se nuk i intereson kjo çështje, Daçiqi tha se kjo duhet të shqetësojë shumë më shumë bashkësinë ndërkombëtare sesa Beogradin.
“Ai pështyn direkt në integritetin e BE-së – Marrëveshja e Brukselit është nënshkruar nga Catherine Ashton dhe Hashim Thaçi. Interesi i BE-së është të ruajë autoritetin e saj”, tha Daçiqi nga Lodzi, Poloni, ku po mbahet Këshilli Ministror i OSBE-së, transmeton Klankosova.tv.
Ai gjithashtu theksoi se çështja e një marrëdhënieje selektive lind kur merret parasysh se “Prishtina vazhdimisht do të shpërblehet për lëvizjet e saj jokonstruktive dhe të njëanshme – siç është vendimi për liberalizimin e vizave apo paraqitjen e kandidaturës për anëtarësim në BE, ndërkohë që kërcënohen ata që janë korrekt si Serbia”.
“Për ne ky është një mesazh shumë i keq sepse tregon se standardet e dyfishta janë shumë të pranishme”, tha Daçiçi.
Daçiqi tha gjithashtu se përfaqësuesit të lartë të BE-së për politikë të jashtme, Josep Borrell, i ka treguar problemet me të cilat ballafaqohet Beogradi – “me refuzimin për të zbatuar atë që është rënë dakord, gjë që paralizon plotësisht mundësinë e përparimit në dialog”.
“Nuk mund të flasim për marrëveshje të reja pa e hedhur në ujë të vjetrën”, tha Daçiqi.
I pyetur se si Serbia mund ta pengojë Kosovën që të aplikojë për statusin e kandidatit në BE, ministri i Jashtëm serb u përgjigj se “nuk mund të parandalojmë diçka ku nuk jemi anëtarë”.
“Ne nuk jemi anëtarë të BE-së, shtetet anëtare votojnë për të, dhe pesë prej tyre nuk e njohin Kosovën, dhe Hungaria, e cila e njeh, ka thënë se nuk do të votojë për pranimin e Kosovës”, u shpreh ai.
Shefi i diplomacisë serbe tha gjithashtu se Prishtina do të shkojë në formulimin se kjo nuk ka të bëjë me statusin, por se duan të marrin statusin e kandidatit dhe statusi i Kosovës do të diskutohet më vonë.
“Nëse e bëjnë, do të vrasin negociatat. Sepse për çfarë duhet të negociojmë nëse ju ua njihni statusin e kandidatit, do të thotë se i keni njohur si shtet”, tha Daçiqi.
Daçiqi tha më tej se OSBE-ja, e cila përbëhet nga 57 shtete anëtare, është një nga organizatat e themeluara nga Jugosllavia dhe e kryesuar nga Serbia.
“Por tema kryesore është integriteti territorial i Ukrainës dhe unë jam gati të duartrokas kur Ukraina të thotë se Krimeja dhe Donbasi janë Ukrainë dhe shpresoj që të gjithë do të duartrokasin kur të them se Serbia është Kosovë”, tha Daçiq.
Në Poloni për këtë samit janë mbledhur ministrat e punëve të jashtme të vendeve më të mëdha evropiane – nga Britania e Madhe, Gjermania, Spanja, në Kanada dhe zëvendëssekretarja amerikane e shtetit Victoria Nuland.