Gjykata Themelore në Prishtinë e ka shpallur për të tretën herë fajtor mjekun e Stomatologjisë, Xhavit Muqiqi, dhe të njëjtit i ka shqiptuar aktgjykim dënues me një vit burgim. Muqiqi akuzohej për veprën penale “Keqpërdorim seksual i personave nën moshën gjashtëmbëdhjetë vjet”.
Muqiqi në vitin 2012, kishte keqpërdorur seksualisht pacienten e tij e cila në kohën kur ka ndodhur rasti ishte vetëm 15-vjeçare.
E drejtësia është vënë në vend 11 vite më vonë, si pasojë e stërzvarritjes së procesit gjyqësor. Muqiqi ishte dënuar me një vit burgim edhe në vitin 2018, por Apeli e kishte kthyer rastin e tij në rigjykim.
Në rigjykim Muqiqit i ishte përsëritur dënimi i njëjtë, pasi që Prokuroria nuk ka parashtruar ankesë dhe nuk ka kërkuar dënim tjetër.
Gjatë vitit 2018, mediat kishin publikuar detaje nga aktakuza, në të cilën thuhet se Muqiqi ka ngacmuar seksualisht një të mitur, e cila kishte shkuar si paciente për t’i vendosur protezat dentare në ordinancën e tij private në Prishtinë.
Si kishte ndodhur e gjithë ngjarja?
Sipas aktakuzës së publikuar në media në vitin 2018, një vajzë 15-vjeçare, mesditën e 21 janarit të vitit 2012, kishte shkuar në ordinancën e mjekut, Xhavit Muriqi, pasi që kishe nevojë për tretman mjekësor si pasojë e dhimbjeve të dhëmbit. E kjo vizitë u bë për të një përvojë mjaft e hidhur, për shkak se Muqiqi, ani pse kishte parasysh moshën e viktimës, pa hezituar e ka ngacmuar seksualisht atë.
Në aktakuzë thuhej se Muqiqi, pasi i kishte dhënë anestezionin të miturës, të njëjtën kishte filluar ta përkëdhel, ta puth dhe më pas e kishte urdhëruar që të ulej në prehrin e tij
“Xhavit Muqiqi në cilësinë e mjekut – stomatolog ia kishte dhënë anestezionin, i njëjti kishte filluar me pyetje jo të zakonshme si janë: ‘Çka, është më e rëndësishme për jetën e saj dhe çka do të thotë fjala intuitë dhe njëkohësisht kishte filluar ta ledhatonte në pjesën e qafës, e kishte puthur të njëjtën në gojë, ku e dëmtuara ka filluar të largohet nga i pandehuri, por i njëjti i kishte thënë ‘se është i besueshëm dhe për çdo problem do t’i ndihmojë edhe për anën financiare’, pastaj i njëjti është ngritur në këmbë duke e ulur të dëmtuarën dy herë në prehrin e tij”, thuhet në aktakuzë.