Live

Dëshmitari Klaus Jensch: Kemi kapur persona që kishin veshur uniforma me flamuj gjerman dhe që plaçkitnin  

13:34 / 21 Maj 2024

Nga Kosova Live

Oficeri i ushtrisë Federale të Gjermanisë, Dietrich Klaus Jensch tha se gjatë kohës që ishte me mision në kuadër të KFOR-it në Kosovë kanë kapur persona që kanë veshur uniforma me flamuj të Gjermanisë e që kryenin vjedhje.

Duke u përgjigjur në pyetjet e mbrojtjes së Thaçit përmes avokates Nina Tavakoli dëshmitari tha se këtyre personave iu kanë thënë që t’i hiqnin të paktën flamujt e Gjermanisë. Sipas tij, kishte persona që vinin nga Shqipëria për të kryer vjedhje, raporton “Betimi për Drejtësi”.

“Të paktën me kujtohen dy incidente që kemi arrestuar persona që po vidhnin dhe grabisnin dhe mbajë mend që ata të kenë thënë që kishin ardhur nga Shqipëria…Shpeshherë ka ndodhur që ne t’i kemi kapur personat që kishin veshur uniforma gjermane me flamurin gjerman dhe iu kemi kërkuar atyre që të paktën të i hiqnin flamujt gjerman në mënyrë të tillë që ata të mos identifikoheshin më si anëtarë të ushtrisë”, tha dëshmitari.

Po ashtu ai pohoi se para tërheqjes së trupave serbe dhe pas  kthimit të refugjatëve kosovar në Kosovë kishte veprime hakmarrëse.

“Po kam parë dhe kam qenë dëshmitari i disa prej tyre edhe vetë”, tha ai.

Ai tha se kishte parë disa zjarrëvenie sa ishte në Kosovë e shumë prej tyre i kishte parë nëpërmjet televizionit pasi ishte kthyer në Gjermani.

Tutje, dëshmitari Klaus Jensch pohoi se veprimet e plaçkitjes janë kryer edhe nga ushtarët e ushtrisë jugosllave.

“Ka pasur veprime plaçkitje, me kujtohet një skenë ku përfshiheshin ushtarët e ushtrisë ish-jugosllave që po qëllonin me të shtëna në ajër dhe një komandant major gjerman i cili dinte pak gjuhën vendore dhe arriti që të qetësojë pak situatën. Pra, kishte një përballje në mes pjesës shqiptare të popullsisë dhe forcave jugosllave që po largoheshin”, tha ai.

Ndërsa, për rastin në godinën MUP-it në Prizren, dëshmitari tha se pasi dy prej të ndalurve ishin shkuar në shkollën e manastirit në Prizren ku mbaheshin refugjatët kishin deklaruar se kanë parë dy persona të cilët i kishin rrahur.

“Rreth orës 15:00 dy personave që jetojnë aktualisht në shkollën e Manastirin në Prizren kanë njohur Sami Rexhepin dhe komandantin e UÇK-së Nezir Kryezin përmes dritares dhe kanë thënë se janë rrahur në mënyrë të përsëritur dhe janë keqtrajtuar nga ata kur janë mbajtur në ish-ndërtesën e MUP-it”, tha ai.

Oficeri gjerman për ngjarjen në Prizren: Ishte një person i vdekur, disa të marrë peng, e konsideroja situatën si akt penal

(Përditësuar, 11:19)- Oficeri i Ushtrisë Federale të Gjermanisë, Dietrich Klaus-Jensch tha se në kohën kur kishte shkuar që të kryente bastisjen në ish-godinën e MUP-it në të cilën ishin duke qëndruar anëtarët e UÇK-së, pa një person të vdekur dhe disa të tjerë të marrë peng e që këtë gjë e konsideronte si akt penal.

Ai tha se kishte bërë fotografi të anëtareve të UÇK-së me qëllim për t’i dokumentuar personat të cilët ishin përgjegjës për atë se çfarë ishte gjetur në godinë, raporton “Betimi për Drejtësi”.

“Duke pasur parasysh faktin që kishim një person të vdekur dhe disa persona të marrë peng, unë e konsideroja situatën si akt penal dhe doja të dokumentoja personat që ishin përgjegjës përmes fotografisë”, tha dëshmitari.

Klaus-Jensch shtoi se një prej kolonelëve gjermanë i liroi anëtarët e UÇK-së.

Në disa imazhe të paraqitura para gjykatës, shiheshin shumë armë në tokë për të cilat dëshmitari tha se liderët e UÇK-së i kishin dorëzuar në mënyrë vullnetare pasi ia kishin kërkuar ushtarët e KFOR-it.

“Pasi i kishim marrë liderët e UÇK-së i kishim kërkuar që t’i dorëzonin në mënyrë vullnetare armët, këtë gjë këtë e bënë dhe sikur mund të shikoni të gjitha dorëzimet janë materiale të cilat ne i kemi gjetur përveç armëve që u dorzuan vullnetarisht siç e thash”, tha ai.

Në një fotografi shihej një person i mbështetur në një makinë dhe disa tek një pemë e që dëshmitari tha se ishin pjesëtarë të UÇK-së të cilët kanë qenë të pranishëm në godinë. Ndërsa, për një tjetër ai tha se iu prezantua si komandant i Zonës së Pashtrikut i cili sipas tij fliste edhe frëngjisht.

“E mbaj mend që ishte komandant i zonës së Pashtrikut dhe e mbaj mend që fliste frëngjisht. Kurse, ushtari në të djathë është një oficer i policisë ushtarake (i KFOR-it gjerman) të cilit nuk ia di emrin”, tha dëshmitari.

Dietrich Klaus-Jensch pohoi se ky komandanti ishte ai të cilin vetë dëshmitari e kishte marrë dhe e kishte dërguar brenda godinës së MUP-it për t’ia treguar trupin e vdekur të një personi i cili ishte gjetur nga ushtarët e KFOR-it.

Sipas prokurores Sarah Clanton, në deklaratën e mëhershme dëshmitari kishte thënë që pasi komandanti e kishte parë këtë person të vdekur, në prani të Klaus-Jensch ai kishte thënë se kjo është një katastrofë.

Shpërndaje në

U Kopjua