Komisioni Hetimor Parlamentar në lidhje me menaxhimin e krizës energjetike nga Qeveria e Kosovës ka dështuar të intervistojë kryesuesin e Bordit të Zyrës së Rregullatorit për Energji, Ymer Fejzullahun, për shkak të mungesës së kuorumit.
Në mbledhje munguan deputetët e mazhorancës dhe një deputet nga LDK-ja.
Kryetari i Komisionit, Driton Selmanaj tha se e kanë të pamundur ta mbajnë mbledhjen pa pjesëmarrje të mjaftueshme. Ai tha se vetëm deputeti Besian Mustafa ka dhënë arsyet e mungesës, derisa sipas tij ata të VV-së nuk kanë dhënë asnjë paralajmërim për mos pjesëmarrje.
“Sot dështoj mbledhja e këtij Komisioni Hetimor si rezultat i mospjesëmarrjes së deputetëve nga mazhoranca dhe unë mendoj se askush nuk duhet të jetë kundër zbardhjes së të vërtetës dhe hedhjes në dritë të gjithë asaj se çka ka ndodh gjatë periudhës së importit të energjisë elektrike”.
“Në anën tjetër kishim në rend dite, pra ftesën për ambasadorin e Kosovës në Kroaci, Martin Berishaj, që të vijë dhe të dëshmojë para Komisionit për implikimet për të cilat ne kemi pretenduar gjatë kësaj krize, dhe ftesa për akterët tjerë të rëndësishëm që kanë qenë të involvuar në këtë proces. Si opozitë është e rëndësishme që gjithë këta akterë të jenë para Komisionit Hetimor dhe të dëshmojnë për angazhimin e tyre dhe për implikimet e tyre gjatë kësaj periudhe”, tha Tahiri