Për shkak të mjegullës së dendur në Shkup, dy ditët e fundit janë anuluar ose devijuar dhjetëra fluturime nga Aeroporti Ndërkombëtar i Shkupit, ndërsa disa kanë zbritur me vonesë më të madhe, transmeton Portalb.mk.
Dje është anuluar fluturimi i parë nga Malmo që është dashur të ulej pak pas mesnate, e më pas është ulur pasdite me tre orë vonesë, sipas të dhënave të arritjeve në aeroportin e Shkupit.
Në mbrëmjen e 31 dhjetorit, të paktën tre fluturime u devijuan për në Prishtinë, kështu që të nesërmen në mëngjes avionët fluturuan prej andej për në Shkup për të marrë pasagjerë.
Mëngjesin e sotëm, fluturimi i parë nga Stambolli u ul me dy orë vonesë, si dhe fluturimi i dytë nga qyteti turk gjithashtu është planifikuar të aterojë me dy orë vonesë.
Sipas parashikimeve të motit, sot në luginën e Shkupit pritet mjegull, ndërsa nga nesër kthjellim dhe mot më i ngrohtë.