Gjermania po shton presionin ndaj autoriteteve serbe për t’iu bashkuar sanksioneve kundër Rusisë, shkruan gazeta gjermane Die Welt. Burime të gazetës nga qeveria gjermane thonë se rreshtimi me Rusinë do të ketë pasoja për Serbinë.
Berlini kërkon që Serbia të vendosë ose për rrugën drejt Bashkimit Europian ose për partneritet me Rusinë, thonë burime të gazetës Welt nga Berlini, transmeton Gazeta Express.
“Domosdoshmëria e vendimit po rritet në funksion të zhvillimit gjeopolitik”, i ka thënë një përfaqësues i Qeverisë gazetës gjermane në mënyrë anonime.
Siç thuhet më tej, në Berlin ishin “të habitur dhe të zhgënjyer” kur Serbia nënshkroi marrëveshje me Ministrinë e Jashtme të Rusisë, sepse, siç thonë ata, kjo nuk e mbështet pritjen se Beogradi do të vendosë sanksione ndaj Rusisë.
Ai plan, i cili u kritikua nga Perëndimi, u nënshkrua në shtator nga ish-ministri i Jashtëm serb Nikolla Selakoviq dhe homologu rus Sergej Lavrov në Nju Jork. Në Beograd, ata më vonë pohuan se ishte një plan konsultimi informal.
Siç vazhdon burimi i Die Welt, në Berlin mbizotëron përshtypja se presidenti serb Aleksandar Vuçiq është një politikan me përvojë, i cili është i vetëdijshëm për pozicionin aktual mes BE-së dhe Rusisë.
“Do të bëhet gjithnjë e më e pakëndshme të ulesh në atë gardh”, tha burimi.
Thuhet se Vuçiq mund të presë mbështetjen e qeverisë gjermane nëse vendos ta udhëheqë vendin drejt BE-së.
“Nëse ai vendos të marrë një rrugë tjetër, do të ketë pasoja”, shtoi burimi.
Zëvendëskryeministri i ri i Qeverisë së Serbisë dhe ministri i Mbrojtjes, Millosh Vuçeviq tha së fundmi se Qeveria “nuk po shqyrton” vendosjen e sanksioneve kundër Rusisë.
Ai theksoi se konkluzionet e Këshillit të Sigurisë Kombëtare të nxjerra në fillim të luftës në Ukrainë janë ende të vlefshme. Në të thuhet se Serbia respekton integritetin territorial të Ukrainës dhe se refuzon të vendosë sanksione ndaj Moskës.