Dy diplomatët amerikanë, Eduard Joseph dhe Daniel Server, i shohin si të pashmangshme zgjedhjet e reja të parakohshme në Kosovë pas dorëheqjes së Ramush Haradinajt nga posti i Kryeministrit, pas ftesës që ka marrë nga Gjykata Speciale. Diplomati Joseph ka thënë për Zërin e Amerikës se, Qeveria nuk mund të vazhdojë të funksionojë në mënyrë gjysmake duke e zëvendësuar Haradinajn nga një figurë tjetër politike. Sipas tij, duke parë këtë situate, zgjedhjet e reja janë jetike, për të zgjedhur një qeveri që përfaqëson vullnetin e popullit.
Se zgjedhjet e reja janë zgjidhje e ka thënë edhe diplomati Server. Sipas tij, pas dorëheqjes së Haradinajt, mundësia për të shkuar në zgjedhje është shumë më e madhe se sa kishte qenë kur ato i kishte kërkuar opozita. Ndërkohë, dje drejtë caktimit të datës së zgjedhjeve ka lëvizur edhe presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi. Një njoftim nga Presidenca e Kosovës, theksohet se presidenti Thaçi pret të takojë nga java e ardhshme udhëheqësit e partive politike për të diskutuar, siç thuhet, hapat e nevojshëm pas dorëheqjes së Kryeministrit Haradinaj.
“Çdo veprim, do të jetë në pajtim me Kushtetutën e Kosovës”, thuhet në njoftimin nga Presidenca. Njëherësh, kjo i jep fund edhe pritjeve të partive politike, të cilat kanë bërë thirrje të vazhdueshme për këshillime me presidentin e vendit, për datën e mbajtjes së zgjedhjeve të parakohëshme parlamentare. Njohësit e Kushtetutës, ndërkohë thonë se për të shkuar në zgjedhje të reja, duhet shpërbërë Kuvendi i Republikës së Kosovës, me 2/3 e votave.