Të paktën gjashtë persona janë qëlluar për vdekje nga forcat irakiane të sigurisë në Bagdad, dhe katër të tjerë u vranë në Basra, pas përleshjeve mes forcave të sigurisë dhe protestuesve antiqeveritar.
Forcat e sigurisë përdorën zjarr të drejtpërdrejtë kundër protestuesve pranë Urës Shuhada në Bagdad, duke plagosur rreth 35 persona.
Demonstruesit po përpiqeshin të largonin barrierat pranë dy urave, që çojnë në bregun perëndimor të lumit Tigris dhe lejojnë hyrjen në Zonën e Gjelbër të fortifikuar, në të cilën ndodhen objektet qeveritare dhe ambasadat e huaja.
Qeveria Irakiane nuk ka qenë në gjendje të ndalë protestat më të mëdha në dekadat e fundit. Situata në vend ishte kryesisht e qetë që nga mposhtja e grupit militant ekstremist Shteti Islamik (IS) në vitin 2017.
Përplasja mes forcave të sigurisë dhe protestuesve – kryesisht të paarmatosur – ka çuar në vdekjen e më shumë se 260 personave që nga 1 tetori.
Demonstruesit kanë shprehur zemërim për mungesën e vendeve të punës, mungesën e energjisë dhe ujit të pastër, arsimimin e dobët, kujdesin shëndetësor dhe korrupsionin.
Shumë prej protestave janë mbajtur edhe kundër ndikimit të huaj në vend, përfshirë atë të Iranit fqinj.
Bagdadi ka provuar të balancojë marrëdhëniet me Iranin dhe Shtetet e Bashkuara, e cila ofron ndihmë ekonomike dhe ushtarake, dhe gjithashtu ka mbështetur forcat irakane në mposhtjen e IS-it.