Drejtori i Administratës Tatimore të Kosovës, Ilir Murtezaj i ka kërkuar zyrtarisht Këshillit të Pavarur Mbikëqyrës për Shërbimin Civil që ta anulojë vendimin për përgjysmimin e pagës së tij bazë.
Përmes një shkrese drejtuar KPMSHCK-së, ai ka kërkuar rikthimin e pagës së plotë, pasi që nga muaji maj vijon të marrë pagë të përgjysmuar si pasojë e mosrespektimit të vendimeve të këshillit.
Murtezaj, në letrën të cilën e ka siguruar Paparaci, ka thënë se tashmë janë plotësuar kushtet ligjore për rikthimin e plotë të pagës së tij, “ashtu siç është e përcaktuar për pozitën e Drejtorit Ekzekutiv të Administratës Tatimore të Kosovës”.
“Vlerësoj së janë plotësuar kushtet ligjore që ta njoftonin Departamentin e Thesarit në kuptim të rikthimit të pagës sime të plotë, ashtu siç është e përcaktuar me pozitën e Drejtorit Ekzekutiv të Administratës Tatimore të Kosovës”, thuhet në kërkesë.

Në shkresën drejtuar KPMSHCK-së, Murtezaj ka thënë se me 23 shtator Qeveria ka miratuar rregulloren për Organizmin e Brendshëm dhe Sistematizimin e Vendeve të Punës në Administratën Tatimore, e cila sipas tij, i ka pushuar rrethanat për të cilat ai ishte sanksionuar.
Në maj të këtij viti, KPMSHCK-ja kishte marrë vendim për ndalimin e 50% të pagës mujore ndaj Drejtorit të Përgjithshëm të Administratës Tatimore të Kosovës, Ilir Murtezajt, pasi ai nuk kishte zbatuar në plotni dy vendime të Këshillit, të marra më 16 dhe 23 qershor 2021.
“KPMShCk më 23 qershor 2021 pati nxjerrë vendim me të cilin e ka aprovuar si të bazuar ankesën e Bashkim Shalës dhe ka obliguar drejtorin e ATK-së që të bëjë zbatimin e vendimit brenda afatit prej 15 ditësh, duke e sistemuar ankuesin në pozitën e punës së zëvendësdrejtorit të përgjithshëm të ATK-së”, thuhej në vendimin e KPMSHCK-së.