Live

Drejtori i RTK-së Ahmetxhekaj ndjek modelin e ‘shefit’ të tij Kurti, kërcënon Sindikatën e RTK-së

11:45 / 26 Nëntor 2022

Nga Kosova Live

Drejtori i RTK-së, Shkumbin Ahmetxhekaj ka vendosur të ‘kopjoj’ kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, në lidhje me mënyrën se si duhet sillet me sindikatat.

Ahmetxhekaj me anë të një emaili ka kërcënuar kryetarin e Sindikatës së Pavarur të RTK-së, Fadil Hoxha, shkruan kosovalive.net

Kërcënimi në email erdhi pasi Hoxha ishte në takim me kryesinë e sindikatës.

Ahmetxhekaj i dërgoi email kërcënues se do ta ndëshkonte Hoxhën sepse gjatë inspektimit nuk ishte në zyre.

Ky email erdhi me datën 25 nëntor.

KOMUNIKATA E PLOTË:

SINDIKATA E PAVARUR E RTK-SË

KRYESIA

Sot në ora 10:53, në kohën kur Kryesia e Sindikatës mbante takim, në emailin zyrtar të kryetarit të Sindikatës, Fadil B. Hoxha ka ardhur një letër nga drejtori gjeneral Shkumbin Ahmetxhekaj dhe Udhëheqësi i Shërbimeve të Përbashkëta, Alban Fetahu ku kërcënohet kryetari i Sindikatës me masa ndëshkuese për shkak se gjatë inspektimit në zyren e tij në ora 09:13 ai nuk ka qenë në zyre.

Rasti është denoncuar edhe në polici.

Këtë veprim skandaloz, të paparë në vendet demokratike të organizimeve sindikale, kryesia e SPRTK-së e sheh si kërcënim direkt ndaj aktivitetit sindikal me qëllim të shuarjes së tij dhe cdo zëri kritik në Transmetuesin Publik.

Ky veprim është keqpërdorim me të punësuarin e RTK-së në administratë duke e detyruar atë që ta luajë rolin e policit hetues nëpër ambientet e punës.

Ligji për oganizim sindikal e thotë qartë:

Neni 16 pika 3 Sindikatën e përfaqëson Kryetari i Sindikatës.

Neni 24
Imuniteti i përfaqësuesve sindikal

  1. Ndalohet diskriminimi ndaj përfaqësuesve të organizatave sindikale.
  2. Për aktivitete sindikale, përfaqësuesit sindikal, pa pëlqimin e sindikatës nuk mund t’i:

2.1. ndërpritet kontrata e punës;

2.2. caktohet vend tjetër i punës;

2.3. ulet pozita e vendit të punës;

2.4. fillojë procedura disiplinore;

2.5. zvogëlohet paga.

Po ashtu Neni 25 paragrafi 1 thote:

  1. Ndalohet çdo akt ndërhyrjeje apo kërcënimi në organizime sindikale dhe për këto veprime Organizatat sindikale mund t’i drejtohen gjykatës.

Për ketë veprim do të informohen organizatat sindikale të rajonit dhe të BE-së.

Kryesia e SPRTK-së kërkon nga Bordi i RTK-së që të distancohet nga ky veprim i ulët dhe dy të apostrofuarit e lartëcekur t’i thërras në përgjegjësi.

Për hapat e mëtutjeshëm rreth këtij veprimi qyqar kryesia do të ju informojë me kohë.

Shpërndaje në

U Kopjua