Analisti dhe gazetari Dukagjin Gorani ka thënë se sot për herë të parë Qeveria e Kosovës ka dhënë qëndrim që e pranon planin frank-gjermani.
Duke folur në emisionin Pressing të T7, Gorani ka thënë se shqetësimi është se nuk dihet çfarë lloj plani ka pranuar Kurti.
“Sot për herë të parë Qeveria dha qëndrim që e pranon planin franko-gjerman… nuk e dimë çfarë plani ka pranuar sot”, ka thënë Gorani.
“Tash nuk duhet me dalë qeveria dhe me thënë që e kemi pranuar një marrëveshje se s’kemi pasë çare. Duhet të thotë që kemi një marrëveshje të mirë dhe më të mirë në dynja s’ka pasë”, ka deklaruar tutje Gorani.
Pas një takimi me të dërguarin e BE-së për dialogun, Miroslav Lajçak, sot kryeministri Albin Kurti ka deklaruar se e pranon propozimin evropian, të njohur si franko-gjerman.
Megjithatë, deri tani, janë dhënë pak informacione se për çfarë lloj plani bëhet fjalë, ndërkohë që pjesë e këtij plani raportohet se është e përfshirë edhe një pikë për themelimin e Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe.