Live

EKSKLUZIVE| A u gjunjëzua prokorori Naim Abazi nga presionet për rastin e Ahmetxhekajt, Arsim Halilit dhe Besnik Boletinit

17:51 / 03 Nëntor 2022

Nga admin

Në fillim të verës së këtij viti, me autorizim të Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës, Policia e Kosovës pati nisur hetimet ndaj Drejtorit të Përgjithshëm të RTK-së, Shkumbin Ahmetxhekaj, ish u.d.zv/Drejtorit të Përgjithshëm Arsim Halili, kryetarit të Bordit Besnik Boletini dhe gjyqtares Saranda Bogaj, për keqpërdorim të detyrës zyrtare, konflikt interesi, ushtrim ndikimi dhe veprim me dashje, katër këto vepra penale të përcaktuara në Kodin Penal të Republikës së Kosovës.

Hetuesit policor për disa muaj kishin hetuar rastin, ku kanë mbledhur dokumentacion nga RTK si dhe kanë intervistuar disa nga personat e dyshuar por edhe dëshmitarë që kanë qenë në rrjedha të kësaj ngjarje, shkruan Kosovalive.com.

Sipas informacioneve të Kosovalive.net, pas grumbullimit të gjitha fakteve policia ka gjetur elemente të veprës penale të kryer nga personat e lartpërmendur dhe raportin me të gjeturat ia kanë përcjell prokurorit të rastit, Naim Abazit.

Duke ju referuar këtyre burimeve në organet e drejtësisë, prokurori Naim Abazi, ka qenë në dilema ta konfirmojë ose jo aktakuzën pasi që ka qenë në presion të madh nga disa persona që thirren si “gazetarë” dhe nga një person nga shoqëria civile që ta mbyll rastin dhe të mos ngrit aktakuzë ndaj udhëheqësve të RTK-së.

Kosovalive.net ka javë që i ka dërguar pyetje Prokurorisë Speciale për këtë rast për të konfirmuar këto pretendime por ende nuk ka asnjë përgjigje nga ana e tyre.

Ky rast ka të bëjë për një marrëveshje të arritur mes ushtruesit të drejtorit të përgjithshëm të RTK’së, Shkumbin Ahmetxhekaj dhe shokut të tij të ngushtë Arsim Halili, i cili ishte propozuar si zv.drejtor i RTK’së, për ta tërhequr një padi nga Gjykata e Apelit, tërheqja e së cilës do t’i mundësonte Halilit që të vendosej në pozitën e u.d. zv/Drejtor i Përgjithshëm. Gjithashtu sipas kësaj marrëveshje RTK, do t’i paguante një shumë të konsiderueshme parash Halilit si dëmshpërblim, ndërsa Ahmetxhekaj e kishte tërhequr padinë nga Gjykata e Apelit vetëm një ditë para se ta emëronte shokun e tij në pozitën e zv/Drejtorit të Përgjithshëm pa pritur përfundimin e konkursit për Drejtor të Përgjithshëm dhe duke mos përfillur procedurat ligjore. Ahmetxhekaj dhe Halili janë shokë të ngushtë dhe veprimi i Ahmetxhekajt paraqet konflikt interesi por edhe tejkalim të kompetencave të tij duke keqpërdour pozitën zyrtare në dëm të RTK-së.

Ky rast ka të bëjë me suspendimin dhe degradimin e Arsim Halilit nga pozita e redaktorit në gazetar nga komisioni disiplinor i RTK-së për shkak të ofendimit të komunitetit LGBT pas një proteste të këtij komuniteti në Prishtinë në vitin 2016.

Fillimi i hetimeve nga policia si duket ishte edhe arsyeja që Arsim Halili publikisht kishte thënë që ka vendosur që të heq dorë nga kompensimi prej 9 mijë e 328 eurove si dhe ti kthehet pozita e redaktorit.

“Si qytetar i këtij vendi që mëton me shpërthy izolimin shumëvjeçar, i kam tri pyetje koncize: A është edhe LGBT, kusht për liberalizimin e vizave? Ky kusht a plotësohet me sapun, a pa sapun? Edhe e treta, për liberalizim vizash, a ma mirë me sakrifiku me demarkacion a me thobë?!””, kishte shkruar Halili ditën e protestës së komunitetit LGBT.

Menaxhmenti i RTK-së, e pati suspenduar dhe degraduar pas vendimit të komisionit disiplinor të RTK-së, për gjuhë ofenduese ndaj një komuniteti të caktuar dhe për shkelje të etikës dhe standardeve profesionale. Halili ishte munduar që të paraqitej si ‘shpëtimtar’ i RTK-së dhe se gjoja nuk do ta dëmtojë buxhetin e RTK.  Por arsyeja po duket të jetë frika nga ngritja e një kallximi penal për keqpërdorim të detyrës zyrtare, konflikt interesi dhe ushtrim ndikimi.

Megjithatë, veprimi i ndërmarrë nga u.d Drejtori i Përgjithshëm ka shkaktuar një sërë problemesh zingjirore që përbëjnë shkelje ligjore.

Kosovalive.net ka siguruar dokumentin e njërit prej zyrtarëve të RTK’së, i cili në kushte anonimiteti iu është drejtuar Policisë së Kosovës, përkatësisht Drejtorisë  së Hetimeve të Krimeve Ekonomike dhe Korrupsionit.

Sipas kësaj ankese të këtij zyrtari, thuhet se Shkumbin Ahmetxhekaj, Arsim Halili dhe kryetari i bordit të RTK’së, Besnik Boletinin në bashkëpunim dhe koordinim dhe me dashje e vetëdije të plotë kanë kryer vepër penale, keqpërdorim i detyrës zyrtare, ushtrim ndikimi dhe konflikt interesi sipas Kodit Penal , neni 21, neni 35, neni 285, neni 422, neni 424  dhe neni 432.

Kosovalive.net ka ditë që ka kërkuar sqarim nga Shkumbin Ahmetxhekaj, Arsim Halili dhe Besnik Boletini të njëjtit nuk kanë dhënë sqarim lidhur me këtë keqpërdorim të detyrës zyrtare.

Marrëveshja mes Shkumbin Ahmetxhekajt dhe Arsim Halilit:

Në këtë marrëveshje thuhet se RTK dhe Arsim Halili janë pajtuar që të rregullojnë raportet e ndërsjella dhe të përmbyllin çështjet gjyqësore pa vazhduar tutje në procese gjyqësore.

“RTK është pajtuar që i punësuari Arsim Halili do të vazhdoj punën e tij në televizionin Publik, në pozitën Redaktor i lajmeve në RTK1”, thuhet në këtë marrëveshje.

Ndërsa Televizioni Publik sipas marrëveshjes detyrohet që të tërheqë ankesën në rastin e Halilit dhe t`ia paguaj në tërësi shumën sipas aktvendimit të gjykatës Themelore. Ai ishte ankuar në gjykatë dhe në vitin 2018, pas një procesi gjyqësore, ku Gjykata Themelore vendos në favor të tij, ndërsa RTK ishte ankuar në Gjykatën e Apelit duke paraqitur fakte të reja për shkeljet që i kishte bërë Gjykata Themelore, kundër RTK’së dhe ishin në pritje të vendimit në favor të tyre për shkak se shkeljet që kishte bërë, të cilat ishin evidente publike dhe kishin zgjuar reagime të shumta si nga shoqëria civile dhe mediat kundër gjuhës ofenduese dhe homofobike nga një redaktor i RTK-së, kundër këtij komuniteti.

Kosovalive.net, ka pyetur Shkumbin Ahmetxhekajn për këtë marrëveshje, ku ky i fundit ka kërkuar që pyetjet të iu adresohen në e-mail zyrtar, por deri në publikimin e lajmit ai nuk ka kthyer përgjigje për në.

Në ankesën të cilën RTK e ka bërë në gjykatën e Apelit, C.nr.1473/16 të datës 13.06.2019, përveç ofrimit të argumenteve kundër vendimit të shkallës së parë, ka potencuar se ka kërkuar edhe largimin e gjyqtares Saranda Bogaj-Sheremeti nga ky rast për shkak të konfliktit të interesit, pasi që e njëjta ka pasur raporte miqësore me Gentiana Begollin, e cila është mikeshë e ngushtë e Arsim Halilit.

Për ta dëshmuar këtë, janë edhe disa fotografi familjare ku shihen bashkë gjyqtarja Saranda Bogaj-Sheremti dhe Gentiana Begolli me familjet e tyre.

Tashmë për të paditurin, RTK është fakt i njohur që gjyqtarja në fjalë ka marrëdhënie të ngushta shoqërore me Gentiana Begolli-Pustina, ish-kryetare e AGK, e cila siç mund të vërtetohet nga procesverbalet e seancave, ka qenë pjesëmarrëse në seanca gjoja duke vëzhguar mbarëvajtjen e procesit të iniciuar nga Arsim Halili, ku i njëjti është edhe anëtar i Bordit të AGK’së.

Gentiana Begolli vazhdimisht ka marrë pjesë në seancat gjyqësore pasi që si ish-kryetare e AGK duke përdorur autoritetin e saj me fondet e AGK ia ka paguar edhe avokatin mikut të saj Arsim Halilit.

Kosovalive.net, i ka dërguar pyetje dhe ka kërkuar sqarim nga Gentiana Begolli-Pustina, tashmë gazetare në RTK.

Ajo ka deklaruar se nuk ka asgjë të vërtet këtu.

“Jo asgjë nuk është e vërtet këtu”, është përgjigjur shkurt Begolli- Pustina.

Gjithashtu Kosovalive.net, ka provuar të marr përgjigje edhe nga kryetari i Sindikatës së Pavarur të RTK-së, Fadil Hoxha, se a është në dijeni që Gentiana Begolli- Pustina, i ka paguar avokat me fonde të AGK’së, mikut të saj Arsim Halilit, i njejti deri në publikimin e lajmit nuk ka kthyer përgjigje.

Po ashtu, kosovalive,net iu është drejtuar edhe Fadil Hoxhës, kryetarit të Sindikatës së Pavarur të RTK’së, për këto shkelje, ai nuk ka qenë në dijeni për këtë.

“Nuk jam në dijeni për një gjë të tillë por do të ishte jashtëzakonisht shqetësuese nëse kjo që thoni është e vërtetë. Përdorimi eventual i fondeve të AGK-së të cilat kryesisht janë donacione të BE-së, për t’i siguruar mbrojtje një personi i cili ishte dënuar edhe nga Këshilli i Mediave të Shkruara (KMSHK), për denigrim të komunitetit LGBTI, do të ishte njollë e zeze për vetë AGK-në si dhe për komunitetin e gazetareve në përgjithësi. Për këtë çështje ju sugjeroj t’i kontaktoni përfaqësuesit e AGK-në”, ka deklaruar ai.

Kosovalive.net ditëve në vazhdim do të ju mbaj të informuar për këto shkelje dhe keqpërdorime të transmetuesit publik RTK./Kosovalive.net/

Shpërndaje në

U Kopjua

SONDAZH

Kë do e votoni me 9 shkurt 2025 për kryeministër?

Shiko Rezultatin

Loading ... Loading ...