Çdo vit ka raste kur qytetar të ndryshëm të Kosovës kanë problem me autoritet e Serbisë.
Një nga rastet e fundit është Artan Zymberi nga Peja por që jetonte në Oslo të Norvegjisë, shkruan kosovalive.net
Ai ishte arrestuar nga autoritet serbe në nëntor të vitit 2021 dhe ishte dënuar me 3 vite burgim.
Zymberi u gjend i vdekur në rrethana të dyshimta në burgun e Mitrovicës së Sremit në Serbi me 21 nëntor 2022.
Rrethanat ende nuk janë sqaruar, por dyshimet janë se bëhet fjalë për vrasjen e tij.
Kosovalive.net ka arritur të siguroi një dokument ekskluziv nga Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës në lidhje me kosovarët që janë dënuar, arrestuar apo intervistuar nga autoritet serbe ndër vite.
Më poshtë keni rastet në mënyrë të sqaruara dhe pse janë ndaluar nga autoritet serbe:
NEZIR MEHMETAJ (RUDICË, KLINË)
I arrestuar me 3 janar të vitit 202 në vendkalimin kufitar në Merdarë. Ai gjendet në shqyrtim gjyqësor në Gjykatën e Lartë për Krime të Luftës të Beogradit. Ende në process e sipër. I akuzuar për krime lufte ndaj popullatës jo-shqiptare gjatë luftës në Kosovë, 1999
PETRIT DULA (GJAKOVË)
U arrestuar në qershor të vitit 2022 në vendkalimin kufitar në Merdarë. Ai është I dënuar me dy vite burg nga Gjykata e Lartë për Krime Lufte nga Beogradit nën akuzën për krime lufte ndaj popullsisë jo shqiptare. Në vuajtje të dënimit në Burgun Qendror (‘Centralni Zatvor – CZ’)
ARTAN ZYMBERI (OSLO, NORVEGJI/ PEJË, KOSOVË)
U gjet i vdekur në burgun e Mitrovicës së Sremit në Serbi me 21 nëntor të vitit 2022. Vdekja(vrasja) e tij ndodhi në rrethana të dyshimta. Ishte arrestuar në vendkalimin kufitar në Horgosh, Hungari-Serbi. Në muajin Nëntor 2021, ai ishte arrestuar dhe pastaj dënuar nga gjykata serbe me tre (3) vite burg.
FAHRI HAJDARI (PODUJEVË, KOSOVË)
U arrestuar në vitin 2020 në vendkalimin kufitar Kroaci-Serbi. Është dënuar me 6 vite burg. Është në vitin e tretë (3) të vuajtjes së dënimit (për vepër penale të rëndomtë/jo politike), në Entin Ndëshkues-Përmirësues në Nish/Kazneno-Popravni Zavod Niš
20 PERSONA TË ARRESTUAR, SHTETAS TË REPUBLIKËS SË KOSOVËS MBAHEN NË BURGJE TË SERBISË DHE JANË TË DËNUAR PËR VEPRA (jo-politike) DHE KOHËZGJATJE TË NDRYSHME KOHORE. Janë në vuajtje të dënimit (për vepra penale të rëndomta/jo politike), në Entin Ndëshkues-Përmirësues në Nish/Kazneno-Popravni Zavod Niš
QËNDRON KASTRATI (DARDANË, KOSOVË)
Me 13 gusht 2022 në vendkalimin kufitar Dheu i Bardhë, Qëndron Kastrati është urdhëruar të del nga autobusi dhe është mbajtur për disa orë në hapësirat e pikës kufitare Dheu i Bardhë/është marrë në pyetje nga operativë të BIA-s, për aktivitetin e tij politik dhe partisë që përfaqëson (PSD). Kastrati ka qenë duke shkuar me autobus nga Republika e Kosovës për në Vjenë. Austri. Ai nuk është lejuar të vazhdojë rrugën, është urdhëruar të kthehet prapa, në Republikën e Kosovës.
ISMET AZIZI( GJILAN, KOSOVË)
Me 7 gusht në vendkalimin kufitar në Bërnjak u arrestua dhe u morë në pyetje nga policia kufitare serbe për disa orë rreth aktivitetit të shoqatës “Kosova për Sanxhakun”. Azizi është aktiv në forcimin e identitetit kombëtar të shqiptarëve në Sanxhak. Këtij trajtimi policor – sikurse ka deklaruar ai- i nënshtrohet pothuaj rregullisht, sa herë që kalon kufirin me Serbinë.
SAMI BRAHA (SKROMË, VUSHTËRRI, KOSOVË)
Me 8 gusht, afër Beogradit, pas një aksidenti automobilistik, ai u arrestua dhe u mbajt në arrest për 3 ditë nga autoritetet serbe në Beograd. Pas 3 ditëve, Braha u lirua dhe u dënua me gjobë 400 euro.
ALMIRA KURJESHEPI (REÇAN, PRIZREN, KOSOVË)
Me 22 dhjetor, në Qendren Spitalore në Novi Sad të Vojvodinës ka lidnur një vajzë, por asaj nuk i është lejuar qëndrimi në Serbi dhe është kthyer në Kosovë. Ajo nuk e kishte dokumentacionin e Serbisë.
FERHAD SAMARHODA (PRESHEVË/GJILAN, KOSOVË)
Me 12 janar të këtij viti, në vendkalimin kufitar Bullgari-Serbi, në Dimitrovgrad nuk i është lejuar hyrja në Serbi me dokumenta të Kosovës. Samarhoda është detyruar të kthehet prapa në Bullgari dhe të kalojë kufirin me Republikën e Kosovës përmes Vendkalimit Kufitar në Elez Han, Republika e Kosovës – Maqedoni e Veriut.
LABINOT DIBRANI (MITROVICË, KOSOVË)
Me 8 janar, autoritetet serbe kanë tentuar ta arrestojnë atë në vendkalimin kufitar në Bërnjak, por ai ka arritur të iu ikë policisë kufitare serbe dhe të kthehet prapa në Republikën e Kosovës, mirëpo, ende i ka mbetur në Serbi, vetura, telefoni, letërnjoftimi dhe gjësendet tjera personale.
Shala i KMDLNj: Ne kemi rekomanduar që të mos udhëtojnë nëpër Serbi për aq kohë sa janë këto raporte
Behxhet Shala, Drejtor ekzekutiv i KMDLNj, në një prononcim për kosovalive.net ka folur në lidhje me arrestimet dhe pengesat që autoritetet serbe iu paraqesin qytetarëve të Kosovës ndër vite.
Ai ka thënë se KMDLNj nuk ka mundësi të shkoj dhe të informohet për të burgosurit kosovarë në Serbi për shkak të raporteve mes dy vendeve.
“KMDLNj në kuadër të mandatit monitorues për gjendjen e të drejtave të njeriut të personave të privuar nga liria, aty ku ka mundësi e përcjelle gjendjen e tyre përmes vizitave kurse, aty ku nuk ka mundësi e percjellë këtë gjendje përmes familjeve, avokatëve dhe OJQ të atyre vendeve. Në Serbi nuk kemi mundësi të shkojmë dhe informohemi nga burimet e lartcekura”, u shprehë fillimisht ai.
Shala tutje u shprehë se KMDLNj ka rekomanduar që qytetarët e Kosovës të mos udhëtojnë nëpër Serbi.
“Shqiptarët arrestohen, ndalohen dhe pengohen nga autoritetet serbe që nga pikëkalimet kufitare dhë gjatë kalimit nëpër Serbi duke ua marrë dokumentet që pastaj ua kthejnë në këmbim të parave. Kjo vlenë sidomos për bashkatdhetarët tanë që punojnë në shtetet perëndimore. Ne kemi rekomanduar që të mos udhëtojnë nëpër Serbi për aq kohë sa janë këto raporte. Qytetarët kosovarë arrestohen, mbahen në burg një kohë, angazhojnë mbrojtës, shpenzojnë para e pastaj lirohen, ose pa kushte ose me dorëzani”, tha tutje Drejtori ekzekutiv i KMLDNj.
Ai foli për rastin e Nezir Mehmetajt që po mbahet në burxhet e Serbisë që tre vite nën akuzat se ka kryer krime lufte ndaj popullatës jo-shqiptare gjatë vitit 1999.
“Kosova për shkak të raporteve që i ka me Serbinë nuk ka mundësi të bëjë asgjë më shumë sepse pala serbe është jobashkëpunuese. As me rastin e Nezir Mehmetajt nuk mund të bëjë asgjë më shumë përveç se e ka për detyrim të sigurojë mbrojtje ligjore dhe të ndihmojë familjen gjatë vizitave familjare. Shtetasit kosovarë që janë në burgjet e Serbisë kanë të drejtë për vizita të rregullta familjare sikur edhe të burgosurit e tjerë. Në bazë të informatave që i kemi dhe pas intervistave me ata që janë liruar nuk kemi të dhëna se ata janë keqtrajtuar për faktin se janë shqiptarë, as nga oficerët e burgjeve e as nga të burgosurit tjerë”, u deklarua ai.
Shala tutje u deklarua për rastin e Artan Zymberi që vdiq në rrethana dyshuese në një burg të Serbisë.
“Artan Zymberi ka qenë shtetas i Norvegjisë, shqiptar me prejardhje nga Peja i cili ka vdekur në rrethana te pasqaruara për ne në një burg të Serbisë, një muaj para se të transferohej në vuajtje të dënimit në Norvegji. Ambasada e Norvegjisë në Beograd është informuar për shkaqet e vdekjes së Artan Zymberit kurse Kosova nuk ka mundur të bëjë asgjë për këtë rast për faktin se ka qenë shtetas norvegjez dhe Serbia nuk i ka dhënë informata. Eventualisht, Kosova ka mundur të kërkojë informata nga Norvegjia për shkak të raporteve të mira me këtë shtet apo nëse familja e Artanit do të kërkonte ka pasur mundësi të bëhej një ekspertizë shtesë mbi shkaqet e vdekjes. Nuk është e mundur të bëhej asgjë më shumë për këtë rast. Po të ishte varrosur Artan Zymberi në Pejë, mundësitë për verifikim do të ishin më të mëdha por pasi është varrosur në Norvegji e tërë përgjegjësia bie mbi autoritetet norvegjeze”, tha Shala.
Në fund, ai tha se nëse një person me interes publik dhe medial arrestohet në Serbi, trajtohet më ndryshe.
“Po është e vërtetë se nëse një i arrestuar ne Sërbi, shtetas i Kosovës, ndryshe trajtohet nëse është person publik dhe interesimi është më i madh, si ai medial ashtu edhe institucional. E kemi rastin e arrestimit të asambleistit komunal të Podujevës, Blerim Maqastena. Në rrethanat aktuale, pa një marrëveshje dhe bashkëpunim midis autoriteteve të Kosovës dhe Serbisë, nuk mund të bëhet më shume për të drejtat e personave te privuar nga liria. Në rast të një marreveshjeje të tillë, KMDLNj është e gatshem t’i vizitojë burgjet në Serbi ku janë të arrestuar apo në vuajtje të dënimit shtetasit e Kosovës”, përfundoi Shala.
Mërgimtarët nga Kosova vazhdojnë të përdorin Serbin si vend tranzit për të arritur më shpejt në vendlindje. Por, shteti serb vazhdon t’i torturoj me pritje të gjata në pikat kufitare dhe me pengesa tjera./kosovalive.net/