Live

Fatmir Sejdiu sërish pretendon të marrë timonin e LDK-së

10:03 / 31 Korrik 2019

Nga Kosova Live

Ish-presidenti i Kosovës dhe ish-kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Fatmir Sejdiu, është deklaruar se do të kandidojë për të parin e kësaj partie, duke  shtuar se kandidaturën formale do ta bëjë këtë të shtunë në Kuvendin Zgjedhor.

Procesi zgjedhor i LDK-së ka zënë vend në mediat e Prishtinës për disa ditë me radhë  për shkak të konfuzitetit që është shkaktuar me kandidaturat për kryetar të kësaj partie. Mediat spekulojnë me emrat e zyrtarëve të lartë të LDK-së që mund ta sfidojnë të shtunën kryetarin e tanishëm, Isa Mustafën, ndonëse nuk dihet nëse edhe ky i fundit do të jetë ose jo kandidat për kryetar për një mandat të ri, për shkak të problemeve shëndetësore që ia i ka që prej disa kohësh.   

Mediat e Prishtinës shkruajnë se pos Lutfi Hazirit në garë për kryetar pritet të hyjnë edhe një numër jo i vogël i zyrtarëve. Në mesin e tyre janë edhe: Agim Veliu, i cili vazhdon historikisht të jetë i dyti në LDK; Kujtim Shala, njëri prej njerëzve që i ka qëndruar afër Isa Mustafës, Sabri Hamitit e Fatmir Sejdiut; Vjosa Osmani, e cila dikur ishte këshilltare e Fatmir Sedjiut; Gazmend Muhaxheri, Kryetar i Pejës dhe ish themelues i ORA-s. Në garë mund të hyjë edhe Avdullah Hoti, i cili ka shënuar dështimin e parë si kandidat për kryeministër në zgjedhjet e fundit nacionale.

Ndryshe, procesi zgjedhor nëpër degët dhe aktivet e LDK-së është përcjellë me parregullsi të mëdha, me tensione dhe rrahje për pozita udhëheqëse. Vetëm para dy javësh Kryesia e kësaj partie vendosi që ta thërras për të shtunën (3 gusht) Kuvendin Zgjedhor, ku pritet të zgjidhet kryetari dhe Këshilli Drejtues

LDK tradicionalisht i ka përdorë kuvendet zgjedhore për t’i eliminuar të pakënaqurit. Kështu kishte ndodhur në Kuvendin e Karrigeve, kur Nexhat Daci bashkë më një numër të madh të zyrtarëve të LDK-së kishin themeluar Lidhjen Demokratike të Dardanisë (LDD), një parti e shuar më vonë.

LDK-ja është partia më e vjetër pluraliste në Kosovë e themeluar nga Ibrahim Rugova. Pas vdekjes së tij më 2006 në krye të kësaj partie erdhi Fatmir Sejdiu. Ndërsa, në dy mandatet e fundit LDK udhëhiqet prej Isa Mustafës.

(kosova.live)

Shpërndaje në

U Kopjua