Nuk ndodh shpesh që Finlanda të jetë temë e ditës siç ka kenë ditëve të fundit. Një nga arsyet për gjithë këtë vëmendje drejtuar shtetit nordik, janë zgjedhjet parlamentare të 2 prillit, në të cilat tri partitë kryesore, Partia e Koalicionit Kombëtar të qendrës së djathtë, socialdemokratët e qendrës së majtë dhe partia populiste finlandeze përfunduan me nga një pikë përqindjeje larg njëra-tjetrës.
Dhe arsyeja tjetër është anëtarësimi zyrtar i Finlandës në NATO, më 4 prill 2023, pothuajse një vit pas kërkesës për anëtarësim në aleancën ushtarake, e cila u bë pas pushtimit të Ukrainës nga Rusia.
Pavarësisht se çfarë koalicioni do të realizohet në Helsink, vullneti për të qenë pjesë e NATO-së nuk ndryshon.
Tashmë është e ditur se politika finlandeze e ka pranuar qëndrimin e presidentit amerikan, Joe Biden, për presidentin rus, Vladimir Putin, dhe për sulmin ndaj Ukrainës: “Ai mendoi se do të kishte Finlandizimin e NATO-s. Në vend të kësaj ai mori NATO-izimin e Finlandës.”
Megjithatë, jo të gjitha qëndrimet nga zgjedhjet dhe anëtarësimi i ardhshëm në NATO janë të qarta.
Varësisht nga rezultatet e zgjedhjeve, janë dy gjëra që duhet të theksohen menjëherë: Partia e Finlandezëve, e njohur si “Partia e Finlandezëve të Vërtetë”, ka shënuar arritje në zgjedhje duke siguruar 20.1 për qind të votave, si dhe vendin e dytë në zgjedhje.
Kjo tregon se populizmi i krahut të djathtë, të cilin Partia Finlandeze e shënoi në rrugën e fushatës, është ende një forcë për t’u llogaritur në Evropë dhe se imigracioni ka ende aftësinë për të fituar vota.
Por, gjithashtu, tregon një version më të butë të populizmit të krahut të djathtë dhe potencialisht edhe një anë më “femërore”. Ashtu si me Marine Le Pen në Francë dhe Giorgia Meloni në Itali, finlandezët tani udhëhiqen nga një grua, Riika Purra, e cila ka zbutur kritikat e mëparshme ndaj BE-së dhe euros dhe është në favor të anëtarësimit finlandez në NATO.
Së dyti, mund të shënojë fundin e një prej politikanëve më të njohur të vendit. Me 19.9 për qind të votave, socialdemokratët në pushtet nën kryeministren Sanna Marin dolën në vendin e tretë. Shfaqja e dobët e partnerëve të saj të koalicionit më në të majtë, do të kontribuojë në “abdikimin” e saj nga posti i kryeministres, por pak besojnë se ajo do të largohet plotësisht nga politika.
Disa njerëz e lavdëruan atë për përpjekjet e saj të palëkundura në drejtimin e Ukrainës drejt anëtarësimit në NATO dhe ndihmën e vendit gjatë luftës.
Nëse Petteri Orpo, lider i Partisë së Koalicionit Kombëtar dhe kryeministër i supozuar, vendos të provojë një koalicion të madh me socialdemokratët, ka mundësi që kryeministrja të shfaqet ndoshta si ministre e Jashtme.
Gjithashtu, një grua socialdemokrate-nordike, do të plotësonte disa kritere për një nga tri postet kryesore të BE-së që do të fitohen vitin e ardhshëm: presidentë të Komisionit dhe Këshillit, si dhe shef i Politikës së Jashtme të BE-së. Këto pozita shpesh plotësohen në bazë të vendndodhjes, gjinisë dhe përkatësisë partiake.
Megjithatë, pritet që pas nëntë vjetësh të vështira për aleancën, Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg, të japë dorëheqjen nga posti i tij këtë vjeshtë. Një aleancë që nuk është drejtuar kurrë nga një grua. Pse jo një ish-kryeministre nga një prej anëtarëve më të rinj të aleancës ta drejtojë atë?
Me anëtarësimin e Finlandës në NATO, më 4 prill, në përvjetorin e 74-të të aleancës ushtarake, përfundon edhe epoka e mosangazhimit ushtarak finlandez.
Mirëpo, ka ende shumë pyetje, pasi Finlanda duhej ta bënte këtë së bashku me fqinjin e saj lindor, Suedinë. Ato shtruan kërkesën së bashku në maj të vitit të kaluar dhe për disa muaj ishin të bindura se do të bashkoheshin, pasi ushtritë e tyre në thelb janë një me njësitë e përbashkëta të marinës dhe forcat e tyre ajrore që stërviten krah për krah rregullisht.
Por, Turqia nuk është ende e kënaqur me Suedinë, duke pritur që Stokholmi të dorëzojë persona që shteti turk i konsideron “terroristë”, si dhe Hungaria po ankohet për kritikat e politikanëve suedezë për çështjet e sundimit të ligjit.
Supozohet se Turqia dhe Hungaria përfundimisht do të heqin dorë, ndoshta në samitin e NATO-s në Vilnius më 11-12 korrik, por jo përpara zgjedhjeve vendimtare presidenciale dhe parlamentare turke në mes të majit.
Rrjedhimisht, megjithëse e mohoi fuqishëm se ishte vetëm një mundësi disa muaj më parë, Finlanda u detyrua të vepronte e vetme për t’u anëtarësuar në NATO.
Mirëpo, çfarë do të nënkuptojë kjo ndarje e dyshes nordike për sistemin evropian të sigurisë?
Nëse me të vërtetë bëhet fjalë vetëm për disa muaj, gjithçka duhet të jetë në rregull; për Helsinkin ka qenë gjithmonë më e rëndësishme t’i bashkohej aleancës, duke pasur parasysh kufirin e saj prej 1300 kilometrash me Rusinë që gjithashtu dyfishon kufirin e NATO-s me kundërshtarin e saj kryesor.
Gjithashtu, theksohet se Suedia ndihet më e sigurt duke qenë e rrethuar nga vendet e NATO-s dhe se Rusia përbën kërcënim më të vogël për rajonin nordik tani që është aq e zhytur në Ukrainë.
Që nga vera e vitit të kaluar, Suedia ka filluar të integrohet në strukturën komanduese të aleancës me qëllim që të sigurojë më tej Stokholmin, ashtu si edhe komentet e fundit të sekretarit të përgjithshëm të NATO-s se do të ishte “e paimagjinueshme” që NATO të qëndronte joaktive nëse vendi do të sulmohej.
Por, çfarë ndodh më pas nëse pritja për futjen e Suedisë kalon javë dhe muaj e jo vetëm për pak kohë? Madhësia dhe vendndodhja e Suedisë në mes të rajonit nordik e bën atë të rëndësishme për lëvizshmërinë ushtarake dhe siguri.
Ura Oresund jo vetëm që lidh Suedinë me Danimarkën, por edhe gadishullin Skandinav me pjesën tjetër të kontinentit. Goteborgu, qyteti i dytë më i madh i Suedisë, është gjithashtu shtëpia e portit më të madh të rajonit nordik.
Ishulli suedez i Gotlandit, i vendosur pothuajse në mes të detit Baltik, do të ishte vendimtar për t’i dhënë mbështetje detare dhe ajrore Estonisë, Letonisë, Lituanisë dhe Polonisë. Po ashtu, rruga nga bregu norvegjez i Atlantikut në Finlandë kalon përmes Suedisë.
Prandaj, ndërsa Finlanda është më se e aftë të mbrohet edhe pa ndihmën e NATO-s, duke pasur parasysh shpenzimet e saj ushtarake prej 2 për qind të GDP-së të rekomanduar, fuqinë e trupave të saj të kohës së luftës deri në 280.000 trupa dhe një nga artileritë më të mëdha në Evropë, rajoni nordik fitoi. Rajoni nordik nuk do të jetë i plotë nga pikëpamja e mbrojtjes derisa të bashkohet edhe Suedia.
Mirëpo, këtë javë e gjithë vëmendja shkon vetëm te Finlanda.