Live

“Flini rehat” – Tallje masive ndaj deputetes Kollçaku pasi tregoi fjalët e parukieres për Kurtin

12:03 / 02 Nëntor 2022

Nga admin

Një shkrim i deputetes së Vetëvendosjes, Fatmire Mulhaxha-Kollçaku, ku tregonte për bisedën e saj me një parukiere që i tregonte se “flente mirë” për shkak se kryeministër ishte Albin Kurti kanë nxitur tallje masive në rrjete sociale. Tallje të cilat, deputetja Kollçaku po i cilëson padrejtësisht si “bullizim” ndaj profesionit të parukiereve.

Të gjitha janë çuar e po shkruajnë për bisedat që i kanë me frizerët e tyre duke u tallur me deklaratën e deputetes Kollçaku që u shpreh e befasuar nga fjalët e parukieres që e frekuenton ajo.

Çka tha deputetja?

“”Unë fle rahat, sepse nuk kam frikë që kur të zgjohem do të kuptoj se Kryeministri ynë ka nënshkruar ndonjë marrëveshje të dëmshme për vendin”.U befasova për të mirë, kur e dëgjova këtë nga një parukiere në sallonin që e frekuentoj. Vetëdija qytetare fatmirësisht është shumë më e lartë, në raport me atë që servohet shpesh nga studiot televizive me tentativë të kotë në deformimin e opinionit publik.”, ka thënë deputetja në profilin e saj në Facebook.

Menjëherë pas shkrimit të saj, filluan edhe talljet dhe meme të ndryshme.

Analisti Imer Mushkolaj, në Facebook, tregoi për bisedën e tij me frizerin.

“Edhe unë e bisedova këtë punën e Albinit me berberin tem. Tha që 20 vjet nuk osht ngi gjumë, por prej 14 shkurtit po flen rahat.”, ka shkruar me ironi Mushkolaj.

Edhe analisti tjetër, Afrim Haliti, u tall me deklaratën e deputetës së VV-së i cili e ndërlidhi edhe me një deklaratë tjetër të çuditshme të zv.kryeministrit, Besnik Bislimi.

“Parukjerja flen si kingj. Bisla rrin qutë ton natën. Thug life”, ka shkruar ai në Facebook.

Më tej edhe analisti tjetër, Fadil Hoxha, i cili u tregua më i ashpër me deklaratën e deputetës Kollçaku.

Hoxha vuri në dilemë dijen e deputetes për të cilën tha se “kryet e jep njeriu që kjo di diçka se çka është e dëmshme apo e dobishme për Kosovën”

“Qysh thonin pleqët tanë të urtë “krytë e jap”, për diçka që e dinin sigurtë, edhe për deputeten Fatmire kryet e jep njeriu që kjo di diçka se çka është e dëmshme apo e dobishme për Kosovën. Kësaj me i thënë se Albin Kurti ka nënshkru marrëveshje që e pranon sovranitetin e Serbisë mbi Kosovën kjo thotë se është marrëveshje e shkëlqyeshme.”, ka shkruar ai në Facebook.

Deklaratat e çuditshme të Kollçakut

Nuk është hera e parë që deputetja e VV-së, Fatmir Mulhaxha-Kollçaku bëhet cak i talljeve në rrjetet e ndryshme sociale.

Ajo ishte bërë objekt i talljes edhe për deklaratën e saj, kur shpërndau një citat të kinse një “analisti” serb i cili, sipas atij citati, thoshte se “Albin Kurti s’ka dosje kriminale nga koha e UÇK-së”.

“Albin Kurti është Kryeministri më i rrezikshëm për Serbinë që nga mbarimi i Luftës në Kosovë. Kurti nuk është i korruptuar, nuk ka dosje kriminale nga koha e UÇK-së. Ndërkombëtarët nuk kanë fakte ta kushtëzojnë me asgjë, është njohës perfekt i gjuhës angleze, truri i tij është i shpejtë sikur kompjuteri, intelegjenca e tij e ngritur në kulminacion, mban në mend shumë shifra dhe data. Shumë i rëndë për dialogim, guximtar dhe i pakompromis në qëndrimet e tija, thjesht Albin Kurti është njëri nga Liderët më të kompletuar të gjeneratës së re në Diplomacinë Botërore, fjalimet e tija bindin çdo bashkëbisedues që gjendet dhe dëgjon përballë tij në tavolinë”, ishte citati që mediat i “analistit serb”, të cilin e shpërndau Kollçaku.

Ndaj kësaj deklarate asokohe pati shumë reagime që çuan deputetën e VV-së që ta fshijë postimin e saj në Facebook duke thënë se u keqinterpretua.

Aktualisht Fatmire Mulhaxha-Kollçaku është anëtare e Kryesisë së Vetëvendosjes dhe Kryesuese e Këshillit të Grave të Vetëvendosjes.

Mulhaxha Kollçaku pretendoi se shkrimet tallëse ndaj saj ishin bullizim i parukierëve, por në fakt nuk besohet që kjo të jetë e vërtetë.

Shpërndaje në

U Kopjua

SONDAZH

Kë do e votoni me 9 shkurt 2025 për kryeministër?

Shiko Rezultatin

Loading ... Loading ...