Live

Gërvalla favorizon të dëgjueshmit, dyshohet se shkel ligjet duke i avancuar ata

12:01 / 16 Nëntor 2022

Nga admin

Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, MPJD, e udhëhequr nga Donika Gërvalla-Schwarz, muaj më parë kishte përgatitur terrenin për sistemimin e njerëzve të saj në misione diplomatike dhe pozita të tjera në Ministrinë e Punëve të Jashtme dhe Diasporës. E kjo dëshmohet qartë e thjesht me emërimin e ekipit të saj në misione diplomatike, pa përfillë procedurat ligjore në yryshin për favorizimin e kampit të saj, raporton Kosovalive.net.

MPJD përveç që i sistemojë në mënyrë të kundërligjshme stafin e ish-diasporës pa i paraprirë bazat ligjore, po vazhdon t’i favorizojë ata edhe nëpër udhëtime zyrtare duke ua aprovuar pjesëmarrjen në trajnime të organizuara nga Akademia Diplomatike, një mekanizëm ky që funksionon në kuadër të MPJD-së.

Behar Isma përfitoi nga ky favorizim. Nga koeficienti 9, sa e kishte përpara ardhjes së ministres Gërvalla, tash ai ‘fluturoi’ në  koeficientin 16, i cili njëkohësisht mban edhe pozitën e Sekretarit të Përgjithshëm.

Behar Isma, i cili është bashkëshorti i Vjosa Isma, kryetare e VV’së në pikën pesë (V) në Rahovec, së pari mori pozitën e drejtorit të Akademisë Diplomatike, ani pse nuk i përmbushte kriteret bazike, duke filluar nga përvoja diplomatike dhe i cili nuk posedon asnjë ditë përvojë në diplomaci e as nuk ka as gradë diplomatike, ndërsa ishin anashkaluar diplomatë me përvojë dhe me gradë ambasador nga ministrja Gërvalla-Schwarz.

Ndërkaq, tani në trajnimin e organizuar nga “Akademia Diplomatike” në kryeqytetin e Arabisë Saudite, në Riad, po marrin pjesë Hamdi Bërbatovci udhëheqës i auditimit, Vigan Berisha udhëheqës i njësisë së burimeve njerëzore, Doruntina Xhemaili, asistente administrative pranë zyrës se sekretarit dhe Qëndresa Fazliu, zyrtare e lartë për Komunikim me Publikun.

Ndërsa, në trajnimin e organizuar në Maltë tani po marrin pjesë zyrtarë të MPJD’së, Arta Qehaja dhe Dardana Çitaku, e cila është bashkëshortja e Hamdi Berbatovcit, ndoshta pse ky i fundit i duhet ministres Gërvalla t’ia korrigjojë pasqyrat financiare.

Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, po kujdeset vazhdimisht për trajnimet dhe udhëtimet zyrtare të çifit Çitaku dhe Bërbatovci, ku pas sistemimit të tyre në të njëjtën kohë ata realizuan udhëtime zyrtare edhe në Gjermani. Nuk janë bërë të ditura asnjëherë arsyet e këtij udhëtimi.

Gjithashtu, Bërbatovci po shpërblehet nga ministrja Gërvalla, pasi ende pa u sistemuar ka filluar auditimin në Njësinë e Burimeve Njerëzore. Bërbatovcit  iu lejua qasje e plotë në dosjet personale, e sipas legjislacionit në fuqi, kjo është kundërshtim me ligjin dhe dyshohet se paraqet edhe konflikt të hapur të interesit, sepse zyrtari në fjalë e ka bashkëshorten e tij Dardana Çitakun, zyrtare e lartë e personelit.

Donika Gërvalla-Schwarz, muaj më parë, e ka përgatitur terrenin për sistemimin e njerëzve të saj në misione diplomatike dhe pozita të tjera në Ministrinë e Punëve të Jashtme dhe Diasporës. Por, për ta bërë këtë, asaj iu është dashur të eliminojë njerëz nga pozitat që i kanë ushtruar me vite të tëra.

Transferimet në Ministrinë e Punëve të Jashtme dhe Diasporës:

Kështu, Gërvalla-Schwarz dhe zëvendësuesi i Sekretarit të Përgjithshëm në MPJD, muaj më parë kanë transferuar zyrtaren, Afërdita Krasniqi-Mustafa nga pozita zyrtare e lartë e personelit pranë Njësisë për Menaxhimin e Burimeve Njerëzore në pozitën zyrtare e lartë për legalizim dhe çertifikim.

Transferimi i saj ishte bërë në ditën kur MPJD, kishte shpallur konkurs për 32 pozita në misione diplomatike.

Krasniqi-Mustafa, ishte transferuar nga pozita që e ka ushtruar për 14 vjet vetëm pak minuta pas shpalljes së këtij konkursi.

Transferimi i saj po konsiderohet edhe si hakmarrje, meqenëse Krasniqi-Mustafa është edhe sekretare e Sindikatës të Anëtarëve të Shërbimit të Jashtëm, sindikatë kjo që ka alarmuar edhe publikisht parregullsitë në MPJD.

Kjo sindikatë kishte vlerësuar se transferimi i zyrtares Krasniqi-Mustafa ishte hakmarrje tendencioze.

“Menaxhmenti në vazhdimësi është duke u hakmarrë ndaj kryesisë dhe anëtarëve të sindikatës, duke përdorur mënyra të ndryshme vetëm për të ndëshkuar kryesinë e sindikatës dhe të vazhdojë me kalkulimet me një grup të ish Ministrisë së Diasporës, të cilët ishin sistemuar pa u bërë rregullorja e brendshme për sistematizimin e vendeve të punës, si Vigan Berisha nga ish stafi i Diasporës ishte sistemuar me një vendim pa bazë ligjore nga ish-sekretarja Ariana Zherka”, thuhet midis tjerash në reagimin e sindikatës.

Pakënaqësi të mëdha ka pasuar nga ana e stafit të MPJD’së, se vazhdimisht po favorizohen zyrtarët të cilët kanë pritje për nënshtrim e dëgjueshmëri. Këtu përfshihet edhe pjesëmarrja e stafit mbështetës, si Doruntina Xhemajli, asistente administrative, njëherit ajo është edhe vajza e diplomatit në Tiranë, Blerim Xhemajlit, ku ky i fundit posedon gradë diplomatike pa kaluar nëpër komisione dhe i njëjti pas kthimit në Kosovë nga misioni diplomatik në Podgoricë, ai vendosë për të ushtruar pozitë, Drejtor i Departamentit për Financa dhe Shërbimeve të Përgjithshme, dhe ky gradim u bë pa procedura të avancimit në pozitë.

Po ashtu pjesë e trajnimit në Riad është Nerxhivane Pajaziti, asistente administrative pranë Akademisë Diplomatike, ku shpërblehet me avancim në pozitë, e që sipas ligjit  së pari duhet të shpallet konkursi për lëvizje paralele pastaj duhet të vazhdohet me avancime në pozitë.

Brenda ministrisë së Punëve të Jashtme dhe Diasporës, stafi me përvojë të gjatë diplomatike, është shprehur edhe nëpër medie vazhdimisht duke shfaqë dëshpërimin, e duke e shtruar edhe pyetjen se si është e mundur që të shkelet ligji në fuqi nga ana e një ministreje që aq shumë mban ligjërata për zbatim ligjesh. Sipas sindikatës dhe vet diplomatëve, një pjesë e mirë e ë cilëve, të kontaktuar nga kosovalive, refuzuan të identifikohen nga droja e hakmarrjes, e thonë më shqetësim pretendimin se kjo ministri është shndërruar në pronë të Gërvallës./Kosovalive.net/

Shpërndaje në

U Kopjua