Një ngjarje e rëndë ka ndodhur mbrëmë rreth orës 21:00 në lagjen Lakrishte në Prishtinë, ku një person është gjetur pa shenja jete.
Burimet e Gazetës Sinjali brenda Emergjencës kanë bërë me dije se kanë pranuar thirrje për ndihmë, pasi një person dyshohej se ishte në rrezik për jetën.
Ekipi mjekësor i Emergjencës ka dalë menjëherë në vendin e ngjarjes, ku kanë hasur në trupin pandjenja të viktimës dhe pas ekzaminimit për shenjat vitale, mjeku kujdestar ka konstatuar vdekjen e tij.
Lidhur me rastin është njoftuar edhe Policia, të cilët kanë dalë në vendin e ngjarjes ku kanë kontaktuar me familjarët e të ndjerit.
Sinjali mëson se viktima është një burrë 44-vjeçar dhe i njëjti vuante nga një sëmundje e rëndë. Dyshohet se gjatë ditës së djeshme ai kishte konsumuar disa tableta, por që nuk dihen ende shkaqet që çuan në vdekjen e tij.
Me urdhër të prokurorit, trupi i pajetë i viktimës është dërguar në Institutin e Mjekësisë Ligjore për obduksion dhe rasti është cilësuar ‘Hetim i vdekjes’.