Gjykata Themelore në Ferizaj ka shpall aktgjykim dënues ndaj tre personave të akuzuar për veprat penale të narkotikëve me gjashtë vite burgim dhe 4600 euro gjobë – N.B, T.B dhe K.B.
Ata akuzohen për veprën penale “Kultivimi i bimës së hashashit, shkurres së kokainës ose bimës së kanabisit”, ndërsa N.B edhe për “Mbajtja në pronës, kontroll ose posedim i paautorizuar i armëve”.
“Në muajin shkurt deri më 6 korrik 2022 të pandehurit duke vepruar si anëtarë të grupit, në një fshat të Komunës së Kaçanikut, me dashje, pa autorizim kanë kultivuar bimën e kanabisit, me qëllim të prodhimit të narkotikëve, në atë mënyrë që kanë marrë një shtëpi me qira në të cilën kanë zhvilluar këtë veprimtari, mirëpo rreth orës 14:30, gjatë kontrollit brenda shtëpisë janë hasur të pandehurit të cilët janë arrestuar dhe nga aty janë gjetur bimë e kanabisit të paketuar në sasi prej 5 kg e 227.6 gram, së bashku me pajisjet për kultivimin e tyre të cilat edhe janë sekuestruar nga policia. Gjithashtu, i pandehuri N.M., me 6 korrik 2002, në banesën e tij në Ferizaj, në kundërshtim me ligjin e zbatueshëm, lidhur me armët, ka mbajtur në pronësi pistoletën e tipit “Sigsauer”, pa numër serik, ngjyrë të zezë, një karikator me 7 fishekë, të kalibrit 7.65 mm, në atë mënyrë që gjatë kontrollit të banesës së tij nga ana e policisë e njëjta i gjendet dhe sekuestrohet”, thuhet në komunikatë.
“Andaj, të pandehurin: N.B., e shpalli fajtor dhe të njëjtin e gjykoi me dënim unik burgimi në kohëzgjatje prej tre (3) vite, si dhe dënim me gjobë në shumë prej dymijë e gjashtëqind (2.600) €, në të cilin dënim do t`i llogaritet koha e kaluar në paraburgim; të pandehurin T.B., e shpalli fajtor dhe të njëjtin e gjykoi me dënim burgimi në kohëzgjatje prej një (1) vit e gjashtë (6) muaj, si dhe dënim me gjobë në shumë prej njëmijë (1.000) €, në të cilin dënim do t`i llogaritet koha e kaluar në paraburgim; të pandehurin K.B., e shpalli fajtor dhe të njëjtin e gjykoi me dënim burgimi në kohëzgjatje prej një (1) vit e gjashtë (6) muaj, si dhe dënim me gjobë në shumë prej njëmijë (1.000) €, në të cilin dënim do t`i llogaritet koha e kaluar në paraburgim. Të cilat dënime do të ekzekutohen pas plotfuqishmërisë së këtij aktgjykimi”, thuhet në komunikatë
“Të akuzuarve: N.B., T.B., K.B., i është ndërprerë masa e paraburgimit, për shkak se kanë pushuar arsyejet për të cilat ka qenë e caktuar kjo masë”, thuhet në komunikatë.