Live

Gjykimi ndaj Thaçit e të tjerëve: Pritet të pranohen edhe 39 viktima të reja, gjashtë refuzohen

18:04 / 18 Tetor 2022

Nga Kosova Live

Gjykimi ndaj ish-krerëve të UÇK-së është intensifikuar.  Është rritur edhe numri i viktimave pretenduese që po aplikojnë për ta marrë këtë status në gjykimin që do të fillojë në fillimin e vitit 2023. Zyra për Pjesëmarrjen e Viktimave e ka hartuar raportin e tetë, ku i ka rekomanduar gjyqtarit të pranohen 39 aplikime, kurse gjashtë të refuzohen. Nacionale e ka parë kërkesën dhe sjell hollësi.

Edhe 39 viktima shumë shpejt pritet të pranohen në gjykimin ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit e Jakup Krasniqit, pasi Zyra e Viktimave ka kërkuar që në raportin e tetë, shumica të pranohen, kurse gjashtë viktima të pretenduara të refuzohen.

Në kërkesën e kësaj zyre, që e ka parë gazeta Nacionale, thuhet se në kërkesat e fundit, gjashtë aplikues pretendojnë se kanë qenë vetë viktima të krimeve të pretenduara të UÇK-së, 35 aplikues të tjerë pretendojnë se janë viktima indirekte (pra, familjarë) dhe katër bëjnë pjesë në të dyja grupet.

Në gjithë këtë raport, tash gjyqtari do ta marrë vendimin. Mbështetur në vendimet e të kaluarës, Gjykata Speciale vendos plotësisht sipas kërkesës së Zyrës për Pjesëmarrjen e Viktimave. Në këtë raport është kërkuar që gjashtë aplikues të refuzohen.

“Zyra për Pjesëmarrjen e Viktimave i rekomandon gjyqtarit që të pranojë 39 aplikantë si viktima pjesëmarrëse. Kurse vlerëson se gjashtë aplikantë nuk kanë demonstruar mjaftueshëm se ngjarjet e përshkruara në kërkesat e tyre, bien brenda fushës materiale, kohore ose gjeografike të akuzave siç janë në Aktakuzë. Andaj, rekomandon gjyqtarit që t’i refuzojë këta aplikantë të marrin pjesë si viktima në procedurë”, thuhet në kërkesën e Zyrës, transmeton Nacionale.

Gjykata Speciale pretendon se viktimat e drejtpëtdrejta kanë pësuar lëndime si pasojë e ndalimit të paligjshëm, trajtimit mizor e torturës. Kurse, viktimat indirekte janë kryesisht familjarë të personave, që kanë qenë subjekte të krimeve të pretenduara të UÇK-së.

Viktimat indirekte janë kryesisht bashkëshortët, fëmijët, prindërit, vëllezërit e motrat e personave që kanë pësuar nga ndalimi arbitrar ose torturat.

Vetëm pak ditë më parë, kjo zyrë e kishte hartuar raportin e shtatë për pjesëmarrjen e viktimave. Në këtë raport, ishte kërkuar që 46 persona të refuzohen si viktima, pasi nuk kishin arritur të ofronin prova të mjaftueshme.

Detaje për aplikimet e viktimave pretenduese

Në këtë kërkesë tregohet për secilën nga viktimat pretenduese veç e veç për historinë e tyre, ndërlidhjen me krimet e pretenduara dhe vuajtjet. Për viktimat direkte, zyra thotë se ata kanë arritur të dëshmojnë se kanë qenë viktimë e krimeve të pretendura, përfshirë ndalimet e torturat. Megjithatë, edhe pse është kërkuar që të bëhet pranimi i këtyre aplikimeve, nuk është ofruar dokumentacion mbështetës.

“Viktima 209/06 pretendon se është viktimë e drejtpërdrejtë e ndalimit të paligjshëm, trajtimit mizor e torturës nga UÇK-ja në një nga vendet e paraburgimit të përmendura në aktakuzë. Aplikuesi pretendon se ka pësuar dëmtim fizik, mendor e material, dhe ka treguar se nuk ka ndonjë dokumentacion mbështetës. Parashtruesit 214/06 pretendon se është viktimë e drejtpërdrejtë e ndalimit të paligjshëm, trajtimit mizor e torturës. Aplikuesi pretendon se ka pësuar dëm fizik e mendor, dhe ka treguar se nuk ka ndonjë dokumentacion mbështetës. Parashtruesi 215/06 pretendon se është viktimë e drejtpërdrejtë e ndalimit të paligjshëm, trajtimit mizor e torturës. Aplikuesi pretendon se ka pësuar dëm fizik, mendor e material. Ai ka paraqitur dokumentacion mbështetës për dëmtimin fizik dhe material, duke treguar se nuk ka dokumentacion për dëmtimin mendor”, thuhet në raportin e hartuar nga Zyra për Pjesëmarrjen e Viktimave.

Pjesa më e madhe e viktimave pretenduese që është kërkuar të pranohen në proces, janë kryesisht familjarë të personave që kanë qenë subjekt i krimeve të luftës, gjithnjë sipas pretendimeve të Prokurorisë. Në raportin e tetë të Zyrës për Pjesëmarrjen e Viktimave, jepen detaje për secilin nga ta.

“Aplikantët 130/06 dhe 131/06 janë anëtarë të së njëjtës familje. Ata pretendojnë se janë viktima indirekte të ndalimit, torturës dhe vrasjes së paligjshme të një anëtari të ngushtë të familjes. Anëtari i ngushtë i familjes supozohet se është dërguar në një nga vendet e paraburgimit të përmendura në aktakuzën e ndryshuar të konfirmuar në periudhën përkatëse, është keqtrajtuar dhe vrarë. Parashtruesi 189/06 pretendon se është viktimë indirekte e ndalimit, torturës dhe vrasjes së paligjshme të një anëtari të familjes së ngushtë. Anëtari i familjes supozohet se është dërguar në një nga vendet e paraburgimit të përmendura në aktakuzën e ndryshuar të konfirmuar në periudhën përkatëse. Kërkuesi pretendon se ka pësuar dëme mendore dhe materiale, por nuk ka dokumentacion mbështetës”, thuhet në këtë raport.

“Aplikantët 206/06, 207/06, 208/06, 210/06, dhe 211/06 janë anëtarë të së njëjtës familje. Ata pretendojnë se janë viktima indirekte të rrëmbimit, torturës dhe vrasjes së një anëtari të familjes. Eshtrat e anëtarit të ngushtë të familjes u gjetën në një nga vendet e krimit të përmendura në aktakuzën e ndryshuar të konfirmuar në periudhën përkatëse. Kërkuesit pretendojnë se kanë pësuar dëme mendore dhe materiale. Ata nuk kanë ofruar asnjë dokument për dëmtimin”, bëhet e ditur më tutje në këtë raport.

Në një rast, aplikuesit kanë qenë deri në katër anëtarë nga e njëjta familje.

“Aplikantët 218/06, 219/06, 225/06, 227/06, dhe 228/06 janë anëtarë të së njëjtës familje. Ata pretendojnë se janë viktima indirekte të rrëmbimit dhe vrasjes së dy anëtarëve të ngushtë të familjes. Eshtrat e tyre u gjetën në një nga vendet e krimit të përmendura në aktakuzën e ndryshuar të konfirmuar në periudhën përkatëse. Aplikuesi 225/06 gjithashtu pretendon se është viktimë e drejtpërdrejtë e ndalimit të paligjshëm dhe trajtimit mizor nga UÇK-ja në një nga vendet e paraburgimit të përmendura në Aktakuzën e Konfirmuar të Ndryshuar gjatë periudhës përkatëse. Të gjithë aplikantët pretendojnë se kanë pësuar dëme mendore dhe materiale. Viktima-218/06 dhe Viktima-219/06 kanë dorëzuar dokumentacionin mbështetës për dëmtimin fizik. Viktima-225/06 ka dorëzuar dokumentacionin mbështetës për dëmin material. Të gjithë aplikantët treguan se nuk kishin ndonjë dokumentacion për dëmtimin mendor”, specifikohet në raportin e Zyrës për Pjesëmarrjen e Viktimave.

Për të gjitha viktimat pretenduese që kanë aplikuar e për të cilat është rekomanduar pranimi i tyre, Zyra ka thënë se kanë ofruar dëshmi të mjaftueshme. Kurse për gjashtë që është kërkuar të refuzohen, nuk kanë arritur të dëshmojnë se krimet ndërlidhen me aktakuzën ndaj Thaçit dhe të tjerëve.

Gjykimi ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit e Jakup Krasniqit është konfirmuar se do të fillojë në tre muajt e parë të vitit 2023.

Shpërndaje në

U Kopjua