Live

Gjykimi për vrasjen e motrës, mbrojtja thotë se nuk ka asnjë dyshim që e akuzuara vuan nga një sëmundje mendore

12:21 / 15 Mars 2023

Nga Kosova Live

Në Gjykatën Themelore në Prishtinë, në seancën e së mërkurës, në rastin ku F.S. po akuzohet për vrasjen e motrës T.S në Fushë-Kosovë, mbrojtësi i të akuzuarës, avokati Halit Shaljani, ka thënë se nuk ka asnjë dyshim se e mbrojtura e tij vuan nga një sëmundje mendore.

Një gjë të tillë, avokati Shaljani e ka thënë gjatë elaborimit të fjalës përfundimtare, të cilën e ka dorëzuar me shkrim, raporton “Betimi për Drejtësi”.

“Mbrojtja dhe trupi gjykues duhet të bazohen në prova të cilat vërtetojnë veprimet e saj, që vërtetojnë se a është kryerëse apo nuk është kryerëse”, ka shtuar tutje Shaljani.

Avokati tha se pas rihapjes së shqyrtimit gjyqësor nuk është gjetur asnjë provë e dorëzuar nga prokuroria, e cila do të vërtetonte se e mbrojtura e tij e ka kryer veprën penale për të cilën akuzohet.

“Dy herë ka tentuar të bëjë vetëvrasje, ndërsa në këtë proces gjyqësor e njëjta merret sikur të jetë normal”, ka shtuar në fund avokati Shaljani.

Kurse, e akuzuara F.S. ka thënë se është duke u përmirësuar dhe nëse lirohet, babai i saj do të kujdeset që e njëjta t’i kryejë kontrollat mjekësore.

Paraprakisht, prokurori Ilaz Beqiri ka deklaruar se mbetet pranë fjalës përfundimtare të dhënë me 9 gusht 2022.

“Meqenëse veprimet procedurale që janë ndërmarrë pas rihapjes së procedurës në këtë çështje penalo-juridike nuk kanë ndikuar asgjë në gjendjen faktike që është përshkruar në dispozitiv të aktakuzës, mbetem në tërësi pranë fjalës përfundimtare të dhënë para rihapjes së gjykimit”, tha prokurori Beqiri.

Aktgjykimi pritet të shpallet në sesionin e pasdites.

Ndryshe, më 11 gusht 2022 pritej të bëhej shpallja e aktgjykimit për këtë rast, por që nga ana e trupit gjykues për të njëjtin rast është rihapur shqyrtimi gjyqësor me arsyetimin se trupi gjykues ka vlerësuar se duhet të administrohen provat, përkatësisht dokumentet mjekësore të paraqitura nga ana e mbrojtësit të të akuzuarës, avokatit Halit Shaljani për shëndetin e të njëjtës.

Prokuroria Themelore në Prishtinë më 9 maj 2021 ka ngritur aktakuzë ndaj F.S e cila akuzohet se deri sa ishte në dhomën e fjetjes së tani të ndjerës T.S që gjendet në Fushë-Kosovë, në gjendje të përgjegjësisë esencialisht të zvogëluar, nga motive të panjohura e kishte privuar nga jeta motrën e saj T.S.

Sipas aktit akuzues, derisa tani e ndjera ishte e shtirë në krevatin e dhomës së saj e pandehura fillimisht e kishte shtrënguar në qafë dhe fyt e më pas e kishte lidhur edhe shaminë në fyt, me ç’rast nga ngufatja kishte ndërruar jetë, ndërsa e pandehura kishte ikur nga vendi i ngjarjes duke kërcyer nga dritarja.

Lidhur me këtë, F.S po akuzohet për veprën penale “Vrasje e rëndë” nga neni 173, par 1, pika 1.3 të Kodit Penal.

Shpërndaje në

U Kopjua