Policia e Kosovës tashmë ka identifikuar të dyshuarit për grabitjen e armatosur që ndodhi sot në një institucion mikrofinanciar në rrugën “Enver Maloku” në Prishtinë, teksa njërin edhe e ka arrestuar, e është në kërkim të të dyshuarit të dytë.
Gazeta Online Reporteri.net merr vesh se personi i arrestuar është A.A, teksa ai në kërkim është me inicialet D.P dhe nga Maqedonia e Veriut. Për personin e arrestuar, Policia ka kërkuar të verifikohet në shtetin e Austrisë.
Dy të dyshuarit janë në kërkim edhe për një rast tjetër grabitje që është kryer më 17 janar në rrugën “Agim Ramadani”, po ashtu në një institucion mikrofinanciar, ku dyshohet se kanë grabitur 450 euro.
Ndryshe, rastin e sotëm e ka konfirmuar për Reporteri.net, zëdhënësja e Policisë Rajonale të Prishtinës, Flora Ahmeti.
“Sot rreth orës 12:30 është raportuar për një grabitje të ndodhur në një institucion mikrofinanciar në rrugën “Enver Maloku”në Prishtinë. Pas marrjes së informacionit policia ka dalë në vendngjarje dhe bazuar në informacionet e para, dyshohet se dy persona të dyshuar/maskuar nën kërcënim të armës kanë grabitur një shumë parash. Policia po kryen veprimet e nevojshme policore me qëllim zbardhjen e rrethanave të rastit si dhe identifikimin dhe arrestimin e personave të dyshuar”, ka deklaruar ajo.
Njëri i dyshuar është arrestuar pak minuta pas rastit.
“Reagimi i shpejtë i zyrtarëve nga Njësiti i Hetimeve të Përgjithshme, që operon në kuadër të Drejtorisë Rajonale të Policisë në Prishtinë, ka rezultuar me arrestimin e njërit prej personave të dyshuar vetëm pak minuta pas raportimit të rastit. Personi i dyshuar aktualisht po intervistohet, përderisa hetuesit janë në kërkim të personit të dytë, të cilin tashmë e kanë identifikuar. Personat e njejtë dyshohet të jenë të përfshirë në grabitjen e armatosur që ndodhi me datën 17 janar 2025, në rrugën “Agim Ramadani”në Prishtinë” , ka thënë Ahmeti.