Dhuna në familjet kosovare është e pranishme në një masë të konsiderueshme dhe në të tilla raste përfshihen kryesisht burrat dhe gratë. Jo rrallëherë ndodh që t’i ndajnë rrugët me partnerët abuzivë, por as në këtë formë nuk arrijnë të shpëtojnë nga problemet.
Rastet më të rënda bëhen kur janë fëmijët në mes dhe domosdoshmërisht duhet të ekzistojë një urë komunikimi, edhe përmes qendrave për punë sociale.
Mes një çifti që ndodhen në një situatë të tillë, takimi i tyre te Qendra për Punë sociale në Fushë Kosovë gjatë ditës së djeshme eskaloi në dhunë dhe intervenoi Policia.
Siç merr vesh Sinjali, një grua 27-vjeçare e ka sulmuar bashkëshortin e saj me të cilin ka vendosur të ndahet.
Ngjarja ndodhi në oborrin e qendrës, ku viktima e ka pasur të caktohet me fëmijën e tyre.
Një mosmarrëveshje mes burrit dhe gruas së tij të dyshuar shkaktoi sherr mes tyre dhe për pasojë, gruaja e goditi atë me shuplakë në fytyrë.
Burimet e Sinjalit thonë se rasti u denoncua dhe intervenoi menjëherë Policia.
Palët janë shoqëruar në stacion policor për intervistim, ku kanë dhënë deklaratat e tyre për atë që ka ndodhur.
Pas përfundimit të procedurave, ndaj gruas së dyshuar është iniciuar rasti për veprën penale “Dhuna në familje”.