Live

Gruda i PDK-së: Ministrja Haxhiu po manipulon publikisht me vendimin e Apelit për rastin e noterëve

16:55 / 14 Shkurt 2023

Nga Kosova Live

Koordinatori i Departamentit për Drejtësi në Kabinetin e Qeverisjes së Mirë të Partisë Demokratike të Kosovës, Përparim Gruda ka reaguar pas manipulimit që dje ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu i bëri vendimit të Gjykatës së Apelit për rastin e noterëve.

Ajo e bëri “screenshot” vetëm një pjesë të vendimit të Apelit, duke treguar se i është hapur rrugë konkursit të noterëve por e fshehu vendimin e Gjykatës Themelore të Prishtinës, e cila vitin e kaluar kishte thënë se vendimi i ministres Haxhiu për anulimin e procesit të noterëve kishte qenë i paligjshëm, shkruan Demokracia.com.

Gruda ka thënë se Haxhiu e ka dezinformuar dhe manipuluar publikisht vendimin e Gjykatës së Apelit për rastin e noterëve.

“Ajo në postimin e saj, vendimin e gjykatës e paraqet si fitore të saj, ndërkohë që e vërteta është krejt tjetër: Gjykata Themelore në Prishtinë, me aktgjykimin e saj A.nr.529/2020, të datës 1 shkurt 2022, e kishte aprovuar në tërësi si të bazuar kërkesëpadinë e paditësve, duke vërtetuar se procesi i dhënies së provimit të noterisë kishte qenë i ligjshëm dhe i drejtë, dhe se vendimi i Ministres Haxhiu për anulimin e këtij procesi kishte qenë i paligjshëm. Krejt çfarë Gjykata e Apelit ka vendosur në këtë vendim që ministrja e paraqet si fitore të saj, është refuzimi i ankesës vetëm lidhur me propozimin e disa paditësve për dhënien e aktgjykimit plotësues, përmes të cilit paditësit kanë kërkuar që të detyrohet ministrja të vazhdojë me procesin e emërimit të kandidatëve për noterë, por duke lënë në fuqi vendimin e Gjykatës Themelore në Prishtinë që kishte rrezuar vendimin e ministres Haxhiu.”, ka shkruar Gruda në Facebook.

Ai ka thënë se Gjykata e Apelit ka vërtetuar dhe ka lënë në fuqi aktgjykimin e shkallës së parë, përkatësisht ka rikonfirmuar se procesi i dhënies se provimit të noterisë ishte i ligjshëm dhe i drejtë.

Gruda i ka bërë thirrje Haxhiut  që mos të tentojë të manipuloj me vendimet e gjykatës, t’i zbatoj ato dhe të zhbllokoj procesin e emërimit të noterëve të rinj, duke respektuar në përpikëri legjislacionin në fuqi dhe vendimet gjyqësore.

Shpërndaje në

U Kopjua