Live

Haki Abazi sot intervistohet nga Prokuroria për deklaratat rreth rastit Dehari 

08:16 / 21 Shkurt 2023

Nga Kosova Live

Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Haki Abazi do të intervistohet sot nga Prokuroria Speciale lidhur me deklaratat e tij për rastin e Astrit Dehari.

Këtë e ka konfirmuar Abazi dje gjatë ditës. “Të martën në ora 10:00, është caktuar intervista”, ka thënë shkurt Abazi.

Abazi javën e kaluar kishte kërkuar nga Prokuroria që të merret në pyetje kryeministri i vendit Albin Kurti për zhdukjen e mostrave të Astrit Deharit, nga Instituti i Mjekësisë Ligjore (IML).


Ndërkaq, avokati i familjes Dehari, Tomë Gashi ka njoftuar se ka kërkuar që ai të jetë prezent gjatë marrjes në pyetje të Abazit.

“Në cilësinë e përfaqësuesit juridik të familjes Dehari sot me shkrim kam kërkuar që të marr pjesë gjatë marrjes në pyetje të tij në Prokurori. A do të na thërras Prokuroria apo jo e marrim vesh të martën”, ka shkruar Gashi.

Abazi ditë më parë tha se ekzistojnë video-incizimet ku shihet se kush i ka zhdukur mostrat e aktivistit Astrit Dehari.

Zëvendësministri i Drejtësisë, Blerim Sallahu ka hedhur dyshime se mostrat e gjakut të Astrit Deharit mund të jenë zhdukur shumë më herët se që është raportuar zyrtarisht.

Sallahu në RTV Dukagjini ka thënë se sipas drejtorit të IML-së, kamerat e sigurisë edhe në momentin e raportimit të zhdukjes së mostrave kanë funksionuar normalisht.

“Mostrat e gjakut të Astrit Deharit janë parë në epruveta në tetor të vitit 2021 atëherë kur i janë dhënë institutit zviceran për raportin e dytë. Pra ka mundësi që lajmërimi i rastit me humbjen e mostrave nuk është i njëjtë. Pra mostrat mund të jenë zhdukur shumë më herët”.

Shpërndaje në

U Kopjua

Të tjera nga Ballina