Ish-ministrja e punëve të Jashtme, Meliza Haradinaj-Stublla ka thënë se drafti fillestar përcakton bilancin e finales për marrëveshjen mes Kosovës e Serbisë.
Ish-kryediplomatja e ka këshilluar kryeministrin Kurti për plotësim-ndryshime në marrëveshjen bazë.
“Uroj Kryeministri t’a ketë përdorur kohën deri dje para pranimit të propozimit franko-gjerman për të kërkuar nga aleatët amerikan e evropian ndryshime në draftin e fundit të ‘marrëveshjes bazë’:
Të shtohet një nen i ri për ballafaqim me të kaluarën kriminale të Serbisë;
Të largohet Asociacioni si nen i veçantë jashtë nenit ku zotohet implementimi reciprok i të gjitha marrëveshjeve tjera;
Të largohet tërësisht formalizimi i statusit të veçantë për Kishën Ortodokse nga teksti i marrëveshjes sepse Kisha NUK ishte asnjëherë temë e dialogut të Brukselit dhe rrjedhimisht NUK ka marrëveshje paraprake për të.
Nëse drafti fillestar i ‘marrëveshjes bazë’ është pranuar nga Qeveria pa u ndryshuar pikat e mësipërme në draftin e publikuar nga mediat së fundmi, atëherë edhe marrëveshja e nënshkruar në fund do të jetë më e disfavorshme për Kosovën sesa për Serbinë” shkruan Haradinaj-Stublla në reagim.