Kryeministri në detyrë, Ramush Haradinaj, e ka quajtur “mashtrim të vetvetes” idenë tashmë të konkretizuar nga disa prej vendeve të Ballkanit Perëndimor, sikur thuhet për liri të lëvizjes, të njerëzve, mallrave dhe kapitaleve.
Haradinaj tha se zëvendësimi i procesit integrues në Bashkimin Evropian e në NATO, dhe largimi nga Procesi i Berlinit, nuk janë gjë tjetër veçse mashtrim i vetvetes nga këto shtete.
Kreu i Qeverisë i bëri komentet gjatë një pritjeje të organizuar me rastin e përmbylljes së vitit 2019, ku mori pjesë dhe presidenti Hashim Thaçi, përfaqësues të institucioneve të tjera të vendit, të korit diplomatik, përfaqësues të klerit dhe të organizatave të tjera, raporton Ekonomia Online.
Në fund të javës që shkoi, në Tiranë qëndruan liderët e Ballkanit Perëndimor; Serbisë, Maqedonisë së Veriut dhe Malit të Zi, në Samitin e thirrur nga kryeministri shqiptar Edi Rama, për konkretizim të iniciativës rajonale që po quhet “Mini-Shengen”.
Mospjesëmarrja e Kosovës bëri që kryeministri Rama të hedhë akuza drejt liderëve kosovarë duke shprehur bindjen se “vetizolimi” po e dëmton shtetin e Kosovës.
Në fjalën e tij të shkurtër përshëndetëse, Haradinaj tha se Kosova po e përmbyll një vit me suksese, por edhe me dhembje.
Si suksesin më të madh, ai përmendi miratimin e ligjeve për ushtrinë, e cila sipas tij po konsolidohet dhe forcohet.
Kryeministri në largim lavdëroi dhe veten. Ai tha se gjatë mandatit të tij është rritur transparenca. “Aq shumë është rritur transparenca institucionale sa që e kemi zbuluar dhe veten. Tash, mediet dhe qytetarët, e dinë çdo shpenzim të Qeverisë”, tha Haradinaj, raporton KL.