Live

Heshtja e pashpjegueshme e prokurorisë dhe udhëheqësve të RTK’së, nga kush po frikësohen

15:56 / 04 Nëntor 2022

Nga admin

Me autorizimin e Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës, Policia e Kosovës ka nisur hetimet ndaj Drejtorit të Përgjithshëm të RTK-së, Shkumbin Ahmetxhekaj, ish u.d.zv/Drejtorit të Përgjithshëm Arsim Halili, kryetarit të Bordit Besnik Boletini dhe gjyqtares Saranda Bogaj, për keqpërdorim të detyrës zyrtare, konflikt interesi, ushtrim ndikimi dhe veprim me dashje, katër këto vepra penale të përcaktuara në Kodin Penal të Republikës së Kosovës.

Sipas këtij hetimi, Policia e Kosovës dhe Prokuroria Speciale, kanë mbledhur dokumentacione dhe kanë intervistuar edhe disa persona të tjerë të dyshuar për këto keqpërdorime, shkruan Kosovalive.net.

Sipas burimeve që ka siguruar Kosovalive.net, nga Prokuroria Speciale dhe Policia e Kosovës, prokurori Naim Abazi, ka qenë në dilema ta konfirmojë ose jo aktakuzën pasi që ka qenë në presion të madh nga disa persona që thirren si “gazetarë” dhe nga një person i shoqërisë civile që ta mbyll rastin dhe të mos ngritët aktakuzë ndaj udhëheqësve të RTK-së.

Kosovalive.net ka javë që i ka dërguar pyetje Prokurorisë Speciale për këtë rast për të konfirmuar këto pretendime por ende nuk ka asnjë përgjigje nga ana e tyre.

Prokurorët në fazën e hershme të procedurës penale, ushtrojnë kompetencat penale në mënyrë diskrete dhe larg syve të opinionit publik.

Ligji i kufizon prokurorët për të ndarë informacione për publikun derisa lënda është në fazën e hetimeve, ky parim i mbrojtur me ligj lidhur me hetimet, e jo rrallë herë është shfrytëzuar nga prokurorët si mekanizëm për të mbyllur raste penale me kundërshtim me ligjin ose amnistuar krime të ndryshme. Pikërisht për këtë çështje Betim Musliu, autor i emisionit Betimi për Drejtësi, ka folur mbi rëndësinë e këtij procesi duke nënvizuar se sugjerimet dhe presionet sistematike të Institutit të Kosovës për Drejtësi kanë pasur ndikim të Këshilli Prokurorial që ky mekanizëm t’i bëjë publikë rastet kur prokurorët ngrehin aktakuza ose kur i pezullojnë ato. E gjithë kjo sipas Musliut ka të bëjë me të drejtën elementare për transparencë e njëkohësisht për të ndalë abuzimet e sistemit në rastin e hetimeve të rënda penale.

Sipas tij, janë jo të pakta rastet kur prokurorët duke qenë jo transparent kanë ndikuar që të mos vihet drejtësia në vend, siç është rasti edhe i parashkrimit të veprave penale. Rastin e ka ngritur Instituti i Kosovës për Drejtësi që prej kohësh për prokurorinë themelore të Prishtinës dhe me vendimin e marrë tashme nga KPK, transparenca vlen për të gjitha prokuroritë në nivel vendi.

Përderisa ligji përcakton konfidencialitetin si standard të fazës së hetimeve, ligji po ashtu thotë se në rastet kur hetimet mbyllen nga prokurori, vendimi për të pushuar apo hedhur kallëzimin penal është i qasshëm dhe me interes për publikun.

E në shumë raste prokurorët kanë ikur dhe po ikin nga përgjegjësia para publikut sikurse është rasti i prokurorit Naim Abazit.

Një historik me dyshime mbi ndaljen e procesit gjyqësor për  pazaret rreth posteve në RTK

UD, të përgjithshëm i RTK-së, Shkumbin Ahmetxhekaje e ndali këtë proces në gjysmë për shokun e tij Arsim Halilin, dhe e bëri shokun e tij ta fitoj pozitën e zv/drejtorit gjeneral.

Kjo marrëveshje është nënshkruar me 28 janar të këtij viti.

Në këtë marrëveshje thuhet se RTK dhe Arsim Halili janë pajtuar që të rregullojnë raportet e ndërsjella dhe të përmbyllin çështjet gjyqësore pa vazhduar tutje në procese gjyqësore.

“RTK është pajtuar që i punësuari Arsim Halili do të vazhdoj punën e tij në televizionin Publik, në pozitën Redaktor i lajmeve në RTK1”, thuhet në këtë marrëveshje.

Ndërsa Televizioni Publik sipas marrëveshjes detyrohet që të tërheqë ankesën në rastin e Halilit dhe t`ia paguaj në tërësi shumën sipas aktvendimit të gjykatës Themelore.

“Arsim Halili dhe RTK deklarojnë se përveç kompensimit dhe kthimit në vendin e tij të mëparshëm të punës, nuk kanë ndonjë kërkesë të çfarëdo natyre apo ndonjë pretendimi tjetër financiar ndaj njëra tjetrës, lidhur me kërkesat që kanë pasur deri më sot dhe deri në lidhjen e kësaj marrëveshje”, thuhet në marrëveshjen në mes të Ahmetxhekajt dhe Halilit.

Ahmetxhekaj e kishte tërhequr padinë nga Gjykata e Apelit vetëm një ditë para se ta emëronte shokun e tij në pozitën e zv/Drejtorit të Përgjithshëm pa pritur përfundimin e konkursit për Drejtor të Përgjithshëm dhe duke mos përfillur procedurat ligjore. Ahmetxhekaj dhe Halili janë shokë të ngushtë dhe veprimi i Ahmetxhekajt paraqet konflikt interesi por edhe tejkalim të kompetencave të tij duke keqpërdorur pozitën zyrtare në dëm të RTK-së.

Kosovalive.net, ka pyetur Shkumbin Ahmetxhekajn për këtë marrëveshje, ku ky i fundit ka kërkuar që pyetjet të iu adresohen në e-mail zyrtar, por deri në publikimin e lajmit ai nuk ka kthyer përgjigje për në.

Fillimi i hetimeve nga policia si duket ishte edhe arsyeja që Arsim Halili publikisht kishte thënë që ka vendosur që të heq dorë nga kompensimi prej 9 mijë e 328 eurove.

Halili ishte munduar që të paraqitej si ‘shpëtimtar’ i RTK-së dhe se gjoja nuk do ta dëmtojë buxhetin e RTK.  Por arsyeja po duket të jetë frika nga ngritja e një kallximi penal për keqpërdorim të detyrës zyrtare, konflikt interesi dhe ushtrim ndikimi.

Megjithatë, veprimi i ndërmarrë nga u.d Drejtori i Përgjithshëm ka shkaktuar një sërë problemesh zingjirore që përbëjnë shkelje ligjore. Rasti ka të bëjë me suspendimin dhe degradimin e Arsim Halilit nga pozita e redaktorit në gazetar nga komisioni disiplinor i RTK-së për shkak të ofendimit të komunitetit LGBT pas një proteste të këtij komuniteti në Prishtinë në vitin 2016.

Shkrimi i Arsim Halilit kundër komunitetit LGBT

“Si qytetar i këtij vendi që mëton me shpërthy izolimin shumëvjeçar, i kam tri pyetje koncize: A është edhe LGBT, kusht për liberalizimin e vizave? Ky kusht a plotësohet me sapun, a pa sapun? Edhe e treta, për liberalizim vizash, a ma mirë me sakrifiku me demarkacion a me thobë?!””, kishte shkruar Halili ditën e protestës së komunitetit LGBT.

Menaxhmenti i RTK-së, e pati suspenduar dhe degraduar pas vendimit të komisionit disiplinor të RTK-së, për gjuhë ofenduese ndaj një komuniteti të caktuar dhe për shkelje të etikës dhe standardeve profesionale.

Arsim Halili ishte ankuar në gjykatë dhe në vitin 2018, pas një procesi gjyqësore, ku Gjykata Themelore vendos në favor të tij, ndërsa RTK ishte ankuar në Gjykatën e Apelit duke paraqitur fakte të reja për shkeljet që i kishte bërë Gjykata Themelore kundër RTK-së dhe ishin në pritje të vendimit në favor të tyre për shkak se shkeljet që kishte bërë Arsim Halili, të cilat ishin evidente publike dhe kishin zgjuar reagime të shumta si nga shoqëria civile dhe mediat kundër gjuhës ofenduese dhe homofobike nga një redaktor i RTK-së, kundër këtij komuniteti.

Ankesa e RTK’së në Gjykatën e Apelit| Lidhja mes gjyqtares Saranda Bogaj-Sheremeti dhe ish-kryetarës së AKG’së, Gentiana Begolli- Pustina

Në ankesën të cilën RTK e ka bërë në gjykatën e Apelit, C.nr.1473/16 të datës 13.06.2019, përveç ofrimit të argumenteve kundër vendimit të shkallës së parë, ka potencuar se ka kërkuar edhe largimin e gjyqtares Saranda Bogaj-Sheremeti nga ky rast për shkak të konfliktit të interesit, pasi që e njëjta ka pasur raporte miqësore me Gentiana Begollin, e cila është mikeshë e ngushtë e Arsim Halilit.

Në rastin konkret gjykata ka lejuar shkelje të rëndë të normave procedurale. Në gjykimin e shkallës së parë ka vendosur gjyqtarja Saranda Bogaj-Sheremeti.

Tashmë për të paditurin, RTK është fakt i njohur që gjyqtarja në fjalë ka marrëdhënie të ngushta shoqërore me Gentiana Begolli-Pustina, ish-kryetare e AGK, e cila siç mund të vërtetohet nga procesverbalet e seancave, ka qenë pjesëmarrëse në seanca gjoja duke vëzhguar mbarëvajtjen e procesit të iniciuar nga Arsim Halili, ku i njëjti është edhe anëtar i Bordit të AGK’së.

Kosovalive.net, i ka dërguar pyetje dhe ka kërkuar sqarim nga Gentiana Begolli-Pustina, tashmë gazetare dhe redaktore në RTK.

Ajo ka deklaruar se nuk ka asgjë të vërtet këtu.

“Jo asgjë nuk është e vërtetë këtu”, është përgjigjur shkurt Begolli- Pustina.

Gjithashtu Kosovalive.net, ka provuar të marrë përgjigje edhe nga kryetari i Sindikatës së Pavarur të RTK-së, Fadil Hoxha, se a është në dijeni që Gentiana Begolli- Pustina, pohohet se i ka paguar avokat me fonde të AGK’së, mikut të saj Arsim Halilit, i njëjti deri në publikimin e lajmit nuk ka kthyer përgjigje.

Po ashtu, kosovalive,net iu është drejtuar edhe Fadil Hoxhës, kryetarit të Sindikatës së Pavarur të RTK’së, për këto shkelje, ai nuk ka qenë në dijeni për këtë.

“Nuk jam në dijeni për një gjë të tillë por do të ishte jashtëzakonisht shqetësuese nëse kjo që thuani është e vërtetë. Përdorimi eventual i fondeve të AGK-së të cilat kryesisht janë donacione të BE-së, për t’i siguruar mbrojtje një personi i cili ishte dënuar edhe nga Këshilli i Mediave të Shkruara (KMSHK), për denigrim të komunitetit LGBTI, do të ishte njollë e zeze për vetë AGK-në si dhe për komunitetin e gazetareve në përgjithësi. Për këtë çështje ju sugjeroj t’i kontaktoni përfaqësuesit e AGK-në”, ka deklaruar ai.

Po ashtu, Kosovalive.net, i ka dërguar pyetje edhe Asociacionit të Gazetarëve të Kosovës, lidhur me këto fonde, deri në publikimin e lajmit, AKG nuk ka kthyer përgjigje.

Kosovalive.net ditëve në vazhdim do të ju mbaj të informuar për këto shkelje dhe keqpërdorime të dyshuara në transmetuesin publik, RTK./Kosovalive.net/

Lexo më shumë:

Shpërndaje në

U Kopjua