Lidhja e Historianëve të Kosovës “Ali Hadri” dega në Deçan ka përshëndetur vendimin e Gjykatës Kushtetuese të Kosovës të 30 dhjetorit 2022, me të cilin njihet kontributi i gjithë punëtorëve të larguar nga puna me ligjet diskriminuese që kishte marrë Serbia për Kosovën, porse ka kërkuar nga Kushtetuesja që të reflektojë edhe për pronat e ndërmarrjeve të cilat i anë njohur në pronësi Manastirit të Deçanit, mbështetur në ligjet e viteve të 90-ta.
Kryetari i Lidhjes, Shkodran Imeraj ka thënë përmes një reagimi se Kushtetuesja nuk duhet të përdorë standarde të dyfishta për ligjet e kasapit të Ballkanit, Slobodan Millosheviq, të cilat janë zbatuar në vitet e 90-ta.
Sipas tij, Gjykata Kushtetuese vazhdon të përdorë standarde të dyfishta, ku në Deçan i shpall të zbatuara ligjet Millosheviqit, ndërsa për të punësuarit e larguar dhunshëm nga puna gjatë viteve të 90-ta me ligjet e kohës së kasapit të Ballkanit, i shpall diskriminuese.
Reagimi i plotë:
Gjykata Kushtetuese e Republikës së Kosovës, me 30 dhjetor 2022 konfirmoi se ka shpallur vendimin e saj në lidhje me kërkesën e Gjykatës Supreme të Republikës së Kosovës për vlerësimin e kushtetutshmërisë së nenit 8, paragrafit 2, të Ligjit nr. 04/L-131 për Skemat Pensionale të Financuara nga Shteti lidhur me nenin 5 dhe 6 të Udhëzimit Administrativ (MPMS) nr. 09/2015 për Kategorizimin e Shfrytëzuesve të Pensionit Kontribut pagues sipas Strukturës Kualifikuese dhe Kohëzgjatjes së Pagesës së Kontributeve.
Ndër të tjera Gjykata Kushtetuese e Kosovës me vendimin e saj të 30 dhjetorit 2022, ka konstatuar së: “Gjykata thekson që Gjykata referuese, bazuar në pesë (5) konteste në shqyrtim para saj dhe që ndërlidhen me të drejtën e palëve përkatëse për pension kontributpagues, ka kërkuar vlerësimin e kushtetutshmërisë së Ligjit në lidhje me Udhëzimin Administrativ të aplikueshëm dhe të kontestuar në këtë rast, sa i përket kriterit të përvojës së punës në kohëzgjatje prej pesëmbëdhjetë (15) vitesh para 1 janarit 1999, në rrethanat historike dhe politike të viteve të ‘90-ta, përgjatë të cilave, pjesa dërrmuese e të punësuarve, ishin larguar nga vendet e tyre të punës bazuar në ligje diskriminuese”.
Pra, sipas pjesës së cituara nga vendimi i Gjykatës Kushtetuese të Kosovës, shihet se kjo Gjykatë ka vlerësuar së gjatë viteve ’90-ta, të punësuarit në Kosovë janë larguar nga puna bazuar në ligjet diskriminuese, ligje këto që i ka nxjerre Serbia për Kosovën.
Andaj, nëse e analizojmë mirë vendimin e datës 30 dhjetor 2022 të Gjykatës Kushtetuese të Kosovës në lidhje me nenin 8, paragrafit 2, të Ligjit nr. 04/L-131 për Skemat Pensionale të Financuara nga Shteti lidhur me nenin 5 dhe 6 të Udhëzimit Administrativ (MPMS) nr. 09/2015 për Kategorizimin e Shfrytëzuesve të Pensionit Kontribut pagues sipas Strukturës Kualifikuese dhe Kohëzgjatjes së Pagesës së Kontributeve dhe Akt gjykimin e kësaj Gjykate të datës 20 maj 2016 në lidhje me pronat e Ndërmarrjeve “Apiko” dhe “Iliria” të cilat i janë njohur në pronësi Manastirit të Deçanit mbështetur në ligjet e kohës së viteve ’90-ta, atëherë kjo është dëshmi së Gjykata Kushtetuese e Kosovës punon, vepron dhe vendos me standarde të dyfishta.
Analizimi i këtyre dy vendimeve të lartë cekura që bartin vulën e kushtetueses dhe vendimit të kësaj Gjykatë në lidhje me ankesën e parashtruar nga dy ish kandidatët për Prokurore të Shtetit, shihet qartë së Gjykata Kushtetuese e Kosovës punon, vepron dhe vendos me standarde të dyfishta.
Ne, e përshëndesim vendimin e Gjykatës Kushtetuese të Kosovës të 30 dhjetorit 2022, me të cilin njihet kontributi i gjithë punëtoreve të larguar nga puna me ligjet diskriminuese që kishte marrë Serbia për Kosovën.