Duke folur për LDK-në në opozitë, deputeti Avdullah Hoti tha në RTK se kjo parti, mbron të njëjtat vlera e parime që janë në statut.
“Jemi duke rishkruar programin qeverisës mbi parimet fondamentale mbi të cilat është themeluar LDK”, thotë Hoti.
Sipas tij, drejtuesit e rinj janë duke e hapur partinë. Kryetari paraprak i LDK-së e ka sjellë në parti, Lumir Abdixhikun. Prej shoqërisë civile në parti. Abdixhiku po i sjell disa të tjerë në parti. Ky është proces shumë normal”, thotë ai, ndonëse e pranoi se edhe vetë është i pakënaqur me opozitarizimin që po bën LDK-ja.
“Nuk jam i kënaqur me mënyrën e të bërit të opozitës. Për shkak se mund të jemi shumë më aktiv në opozitëbërje”.
“Jo gaz, jo sharje, jo fyerje, as shpallje si armiq, por të zëshëm në mbrojtje të kauzave”, thotë ish kryeministri.
“Sigurisht se unë edhe në forumet e partisë them se si parti, duhet të jemi shumë më aktiv”.
Megjithatë, Hoti tha se tani LDK-ja po strukturohet me disa departamente që dalin në konferenca për media, ndonëse e sheh të nevojshme që të fuqizohet opozitë bërja brenda Kuvendit.
“Kemi shumë personalitete që janë shumë kompetent në fusha të ndryshme e që mund të japin shumë si opozitë bërje në Kuvend, e të ndikojmë tek shërbimet e qytetarëve”.