Kryeministri kosovar Albin Kurti me vete në Ohër ka marrë edhe Andin Hotin, djalin e Ukshin Hotit, njëherit kryetarin e delegacionit të Kosovës për bisedime me Serbinë në çështjen e personave të zhdukur.
Andini ka thënë për “Front Online” se ndodhet aty për shkak se ka për qëllim që çështja e personave të zhdukur të futet si paragraf në aneksin për zbatimin e ujdisë për normalizim të raporteve mes të dyja vendeve.
Këtë, sipas tij, po e shtyen përpara edhe kryeministri Kurti.
“Normal unë jam veç për pjesën e personave të zhdukur. Qëllimi im është që çështja e të pagjeturve të futet si paragraf i veçantë në aneks dhe të trajtohet me urgjencë dhe afate kohore, KM po kërkon në takim me Vuçiqin që kjo çështje të hyjë në aneks marrëveshje”, u shpreh Hoti.
Dialogu i nivelit të lartë ndërmjet kryeministrit Kurti dhe presidentit Vuçiq Gjatë është duke u zhvilluar në Ohër nën patronatin e Bashkimit Evropian dhe nën vëzhgimin e të dërguarit të posaçëm amerikan për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar.
Në fokus të takimit është finalizimi i Aneksit Zbatues të Marrëveshjes për rrugën e normalizimit të marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.