Live

Isa Mustafa deklarohet pas vizitës në Hagë ku takoi Thaçin, Veselin e Krasniqin

10:18 / 05 Nëntor 2022

Nga Kosova Live

Ish-kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa është deklaruar në lidhje me vizitën e tij në Hagë.

Mustafa në Hagë u takua me me ish-presidentin, Hashim Thaçi dhe dy ish-kryeparlamentarët, Kadri Veseli e Jakup Krasniqi, shkruan kosovalive.net

Mustafa në postimin e tij tha se tre ish-liderët e UÇK-së i gjeti mirë me plot idealizëm.

Ai shtoi se uron të fitoj drejtësia kundër konstruksioneve të rrejshme ruse-serbe në Raportin e Dick Martit.

Postimi i plotë:

Miq të nderuar
Në fillim të kësaj jave vizitova ish krerët e UÇK-së dhe drejtuesit e institucioneve më të larta të Republikës së Kosovës për një kohë të gjatë dhe shumë të rëndësishme të shtetndërtimit, Presidentin Hashim Thaçi, dhe kryeparlamentarët Kadri Veseli e Jakup Krasniqi, të cilët po mbahen bashkë me luftëtarë tjerë në paraburgim në Hagë. Më gëzoi fakti që i gjeta mirë, të mbushur me idealizëm; të bindur në pafajësinë e tyre dhe luftën e drejtë të UÇK-së, të gatshëm për të mbrojtur të vërtetën. Mund të jem pajtuar apo të mos jem pajtuar me njërin apo tjetrin për konceptet partiake e të qeverisjes , por është e pamohueshme trimëria dhe kontributi i tyre në mbrojtjen e popullatës në zonat më të ashpra të luftës dhe zëdhënien për masakrat çnjerëzore nga ushtria dhe shteti i Millosheviçit, ashtu siç është i pamohueshëm edhe kontributi për paqe në Konferencën e Rambujesë, në transformimin e UÇK-së menjëherë pas lufte, në negociatat e Vjenës për shtet të pavarur, në shpalljen e pavarësisë dhe në ndërtimin e institucioneve demokratike. Uroj që nga ky proces, që u iniciua nga konstruksionet e rrejshme ruse-serbe në Raportin e Dick Martit, të fitojë drejtësia! IM

Shpërndaje në

U Kopjua