Ish-ambasadori Hysa lidhur me zhvillimet e fundit në vend ka thënë se “është hera e parë që serbët kanë ndërmarrë një hap të tillë drastik”.
“Është hera e parë që serbët kanë ndërmarrë një hap të tillë drastik. Ajo çfarë ka ndodhur me këtë veprim është braktisje e një të njohure me ndërrimin e një të panjohure e cila mund të sjellë situata shumë hipotetike. Kemi sakrifikuar të gjitha marrëveshjet, përfshirë edhe atë të Ahtisarit, përfshirë tani edhe shancin që përmes një oferte franko-gjermane të koncentrohemi dhe të negociojmë”, tha Hysa.
Ai ka thënë se “Serbia po e kopjon alternativën dhe rezistencën paqësore të Kosovës”.
“Dikush si ne kosovarët që ka kaluar retorika të ngjashme në kohën kur ne bojkotonim masat e dhunshme të Qeverisë serbe duhet më se paku me dyshim t’i marrë konstatimet e tilla, është një veprim i cili është koheziv dhe e kemi parë që me atë logjikë është vështirë të gjendet dikush që do të rikthehet në institucionet e Kosovës. Në fakt ajo që po bën Serbia, pikërisht po e kopjon alternativën dhe rezistencën paqësore të Kosovës“, tha ai.
Ish-ambasadori Hysa lidhur me targat tha se tani ia vlen të pyesim ”a ja vlen që për 8.5% të targave të rrezikohet territori e sovraniteti i Kosovës?”.
“Unë mund të ju them duke iu referuar pikërisht në fjalët e kryeministrit, i cili duke listuar një statistikë të të gjitha automjeteve të cilat kanë hyrë nga Serbia në Kosovë, se vetëm 8.5% të automjeteve kanë qenë me targa KS, tani j’a vlen të pyesim – a ja vlen që për 8.5% të targave të rrezikohet territori e sovraniteti i Kosovës?”, shtoi ai.
Ish-ambasadori, Ylber Hysa, pas tërheqjes së serbëve nga institucionet e Kosovës, ka thënë se “jemi kthyer në një pikë zero”.
Në “21 Drejtpërdrejt” të RTV21, Hysa tha se janë në pikëpyetje të arriturat 20-vjeçare të Kosovës.
“Do të dukej pak e çuditshme nëse bashkësia ndërkombëtare me gjithë atë përvojë, me gjithë atë investim për Kosovën të ketë lejuar të ndodh një amaterizëm i tillë çfarë e kemi parë këto ditë. Në fakt, ishte mu bashkësia ndërkombëtare e cila deshi ta nxjerr Kosovën dhe Qeverinë me një propozim elastik, i cili sugjeronte se do të pranohej kërkesa e Kosovës për të vendosur një reciprocitet dhe regjistrim të tabelave të Kosovës me kushtin që të pranohej shtyrja mujore e implementimi të një akti të tillë, edhe po t’i njihej ajo e drejtë Qeverisë së Kosovës, vështirë që ajo do të mund ta implementonte”, tha Hysa.
Hysa potencoi se Serbia e shfrytëzoi këtë rast dhe sjelli në pikëpyetje të arriturat 20 vjeçare të Kosovës.