Live

Ish-drejtori i Policisë: Irrituese deklarata e Kurtit se heqja e barrikadave nuk përjashton viktima

17:36 / 20 Dhjetor 2022

Nga Kosova Live

Sot është dita e 11-të prej kur grupet kriminale kanë vendosur barrikada në veri të Kosovës.

Për situatën e fundit në veri, kryeministri Albin Kurti ka folur sot, ku ka thënë se barrikadat s’mund të tolerohen edhe shumë gjatë, por se heqja e tyre mund të shkaktojë viktima.

“Shqetësimi ynë është se heqja e këtyre barrikadave nuk mund të përjashtojë viktimat. Dhe kjo është arsyeja pse ne duam të jemi sa më të kujdesshëm për t’u siguruar që nuk do të ketë destabilizim dhe se paqja e siguria të jenë në vend”, u shpreh Kurti për “The Guardian”.

Këtë deklaratë të kryeministrit, ish-drejtori i policisë, Rashit Qalaj e ka vlerësuar si ‘irrituese’ dhe të papranueshme.

Sipas Qalajt, sjellja e Kurtit karshi situatës në veri nuk po e tregon rolin e kryeministrit.

Ai tha se Kurti është duke arsyetuar mos veprimin e Qeverisë në marrjen e vendimit për heqjen e barrikadave në veri.

“Deklaratat e z. Kurti në lidhje me situatën në veri janë shumë të çuditshme. Kryeministri është duke u sjell sikur nuk ka qenë asnjëherë në politiken e Kosovës dhe sikur mos të jetë drejtues i Qeverisë, kjo deklaratë për mua është irrituese e papranueshme dhe jo serioze nga ana e të parit të vendit. Me anë të kësaj deklarate ai është duke arsyetuar mos veprimin e Qeverisë në marrjen e vendimit për heqjen e barrikadave në veri”, u shpreh Qalaj për Front Online.

Deputeti i PDK-së, tha se menjëherë duhet të largohen barrikadat në veri.

Ai thotë për Front Online se Kosova ka kapacitete që të përballen me çdo kriminel dhe situatë të krijuar nga ta.

“Barrikadat nuk është dashur që të lejohen që të  vendosën fare por tani është shumë vonë të themi që a duhet të largohen, por duhet të fillohet menjëherë largimi i tyre. Ne e dimë të gjithë se aty ka persona të armatosur ka kriminel por e dimë edhe që Kosova ka institucione dhe kanë kapacitetet që të përballen me situata të tilla”, theksoi Qalaj për Front Online.

Për situatën e fundit në veri ka lëshuar komunikatë edhe Policia e Kosovës, ku ka bërë me dije se janë nëntë barrikada të vendosura gjithsej.

“Që nga vendosja e nëntë barrikadave nga persona/grupe kriminale, situata e sigurisë në veri të vendit vazhdon të jetë e njëjtë, ku si pasojë e këtyre barrikadave dy pikat kufitare ‘Jarinje’ dhe ‘Bërnjak’ ende mbesin të mbyllura për qarkullim”, thuhet në njoftimin e policisë.

Shpërndaje në

U Kopjua