Në media është raportuar se Gjykata Kushtetuese mund ta rrëzoj presidenten Osmani, për shkak se dy kandidatë për deputetë kanë bërë ankesa në Gjykatën Kushtetuese.
Veton Berisha dhe Albert Kinolli po pretendojnë se mandatet e tyre janë marrë nga disa shkelje në zgjedhjet e fundit të përgjithshme.
Sipas tyre, Iniciativa Rome ka arritur t’ua zë vendin në Kuvend me ndihmë të votave të serbëve të instruktuar nga Lista Serbe.
Ish-kryetari i Gjykatës Kushtetuese, Kadri Kryeziu, ka thënë se nëse Kushtetuesja i jep të drejtë deputetëve, presidentja duhet të jep dorëheqje.
“Nëse Gjykata e konsideron që presidentja është zgjedh me një votë jo legjitime atëherë duhet që presidentja Osmani të jap dorëheqje”, deklaroi Kryeziu.
Kryeziu tha për Front Online se presidentja Osmani nuk është legjitime nëse Gjykata vendos pro deputetëve.
Ai ka dhënë një shembull të mëparshëm kur është bërë rrëzimi i Qeverisë.
“Nëse Osmani jep dorëheqje mund të shkojmë në zgjedhje. E kanë praktikën gjyqësore me një deputet tjetër i cili ka qenë i minoriteteve dhe për shkak të atij deputeti ka rënë Qeveria po çka vendos Gjykata nuk e di. Nëse Gjykata vendos në favor të ish-deputetit Berisha, presidentja nuk është legjitime më”, u shpreh Kryeziu për Front Online.
E lidhur me ankesën e deputetit Berisha, nga Gjykata Kushtetuese, kanë thënë se janë duke e trajtuar me seriozitet këtë rast.
“Si çdo kërkesë individuale, Gjykata është duke e trajtuar edhe këtë rast me seriozitetin dhe përkushtimin më të lartë, dhe për vendimmarrjen e saj do të njoftohen me kohë të gjitha palët dhe opinioni”, thuhet në përgjigjen e Gjykatës.
Ndërsa të pyetur se pse gjykata është vonuar të marrë një vendim për këtë çështje, ata thonë se kohëzgjatja e vendimmarrjes varet nga kompleksiteti që ka rasti.