Live

Ish-kryediplomatët kritikojnë Qeverinë: Dështim në diplomaci, të heshtur përballë fushatës ilegale të Serbisë për “ç’njohje”

22:41 / 21 Janar 2023

Nga Kosova Live

Kanë mbetur edhe dy muaj që Qeveria Kurti II të përmbushë dyvjetorin e saj. Gjatë kësaj periudhe, Qeveria e udhëhequr nga Albin Kurti nuk i solli asnjë njohje të re Kosovës.

Pavarësisht kësaj, kryeministri Kurti të premten, duke renditur veprimet që Qeveria e tij i ka bërë gjatë vitit 2022, tha se ka qenë “vit i hapave historik për agjendën tonë integruese dhe i konfirmimit të aleancave dhe orientimeve tona diplomatike”.

Por, ndryshe vlerësojnë ish-kryediplomatët e Kosovës. Ata kritikojnë ashpër udhëheqësinë aktuale duke thënë se politika e jashtme është një dështim i plotë.

Ish-ministri i Punëve të Jashtme, Enver Hoxhaj, në një prononcim për Telegrafin tha se diplomacia është udhëhequr qysh në fillim nga dështimi në dështim.

Sipas tij, nuk ka asnjë njohje, asnjë anëtarësim, asnjë rezultat në raport me Bashkimin Evropian dhe degradim në dialog me Serbinë. Të gjitha këto për një arsye – “mungesë e dijes”.

“Jo vetëm se nuk ka njohje të reja, por edhe aplikimet e Kosovës ne Këshill te Evropës dhe në BE kanë mbetur në sirtarë. Asnjëherë nuk janë shtruar në tavolinë që të hapet dhe përmbyllet anëtarësimi i tyre! Politika e jashtme është në një gjumë të thellë dimëror!”, deklaroi Hoxhaj.

Ai kritikoi Qeverinë duke thënë se nuk ka as program e as strategji.

“Politika e jashtme fillon brenda vendit dhe ndodh jashtë tij! Jo vetëm mungesa e njohjeve dhe e anëtarësimeve, por janë edhe dy ngjarje të reja qe tregojnë për një gjë te tille! Së pari, agresioni i Serbisë mbi integritetin territorial të Kosovës në komunat veriore më 5 nëntor të vitit 2022, ku u tërhoqën serbët nga institucionet shtetërore dhe së dyti, agresioni diplomatik i Serbisë nga fillimi i vitit mbi sovranitetin e Kosovës ku përmes një fushate të egër, të ndyte dhe duke përdorur çdo mjet, po ndodh tërheqja e njohjeve!”.

Ish-kryediplomati tutje tha se duhet strategji te re dhe plane konkrete veprimi në luftën diplomatike kundër Serbisë dhe “jo dorëzim, jo nënshtrim ndaj saj!”.

“Duhet të bëhet një fushatë e kundërt, ku pas një analize të plotë, duhen veprime konkrete! Qeveria Kurti as nuk i viziton shtetet që e kanë njohur pavarësinë, por duhet ta bëjnë një gjë të tillë. As nuk mbajnë komunikim të rregullt diplomatik me këto vende, por duhet ta bëjnë atë. As nuk i thërret në telefon askush, por duhet kontakt i rregullt! Nëse ka ndryshim të qëndrimit, duhet të parandalohen vendime në dëm të Kosovës! Duhet të hartojnë një strategji të re në luftë të egër diplomatike të Serbisë kundër pavarësisë dhe sovranitetit të Kosovës!”, përfundoi Hoxhaj.

Një varg kritikash për ekzekutivin pati edhe ish-kryediplomatja Meliza Haradinaj-Stublla, paraardhëse e Donika Gërvallës.

Sipas saj, diplomacia kosovare është totalisht pasive, pa strategji, pa vizion, dhe pa prioritete.

“Shihet tanimë pas dy vitesh në detyrë, që lidershipi politik në MPJ nuk i ka të qarta objektivat afatshkurtra dhe afatgjata të politikës së jashtme të Republikës së Kosovës. Ndonëse nuk ka ndonjë arsye objektive për të parandaluar veprimin efektiv diplomatik (siç ishte psh pandemia në kohën time), në shohim që MPJ fatkeqësisht ka reduktuar gjithë aktivitetin e saj në çështje të brendshme administrative, dhe minimalisht në çështje politike/diplomatike”, tha Haradinaj-Stublla për Telegrafin.

Ajo shtoi se çështjet e brendshme administrative nuk po realizohen siç duhet, sipas ligjit dhe rregulloreve në fuqi, dhe sipas nevojave të brendshme të Shërbimit të Jashtëm të Kosovës, por sipas interesave e hakmarrjeve politike.
“Kjo pastaj po përkthehet në mospunë, në procese gjyqësore, në shpërthim akuzash publike etj – të gjitha këto që e dëmtojnë rëndë integritetin profesional e moral të Shërbimit të Jashtëm të Kosovës, rrjedhimisht edhe të pozicionit ndërkombëtar të Republikës së Kosovës”.

Ish-kryediplomatja tutje tha se Qeveria Kurti nuk ka strategji lobimi për mirëmbajtjen dhe thellimin e raporteve bilaterale ekzistuese me shtete njohëse, e as iniciativa të reja për të filluar një raport të thjeshtë bilateral me shtete mosnjohëse.

“Kosova ende nuk ka ambasadorë fuqiplotë në Izrael, nuk ka asnjë ambassador në Senegal – që është i vetmi shtet në kontinentin afrikan ku Kosova ka ambasadë. Kosova ende nuk ka ambasadorë jorezidentë në disa shtete njohëse ku nuk ka ambasadë fizike”.

“MPJ do të duhej – për shembull – të kërkojë nga lidershipi i Ukrainës që të fillojë bisedimet për të hapë një Zyre Ndërlidhëse të Kosovës në Kiev (ashtu siç e kemi në Athinë), sidomos tani pasi që edhe Shqipëria e hapi Ambasadën e saj aty”.

“MPJ duhet urgjentisht të hapë ambasadë në një nga shtetet Baltike – unë pata filluar procedurat që të hapet Ambasada e Kosovës në Latvi, por që fatkeqësisht po shihet se nuk u vazhdua nga qeveria aktuale, e shumë e shumë veprime të tjera të fuqizimit ndërkombëtar të Kosovës dhe marrëdhënieve të saj me botën, të cilat MPJ-së tash e dy vite i mungojnë. Shtrirja diplomatike e Kosovës në botë duhet të konsolidohet gjeografikisht, sidomos të punohet më shumë në kontinentin e Afrikës, Azisë, dhe Amerikës Latine”.

Në fund, Haradinaj-Stublla u shpreh se rikthimi i “kthetrave” të Ivica Daçiqit në krye të diplomacisë serbe vitin e kaluar ishte sinjal për një ofensivë të rinovuar diplomatike kundër Kosovës.

“Në këto rrethana, aleanca ndërkombëtare e Kosovës me Perëndimin do të duhej të forcohej edhe më tej, të bëhet edhe më e fuqishme, edhe më e koordinuar, edhe më e pathyeshme”.

Ndërsa tani, ajo tha se Kosova jo që nuk ka unitet politik përballë Serbisë me një front i përbashkët ‘lufte’ me partitë opozitare, por edhe koordinimin me aleatët e ka të lënduar.

“Nuk shohim ndonjë përpjekje të MPJ-së për të ngritur nivelin e veprimit diplomatik dhe ndërveprimin me aleatët strategjikë që i kemi pasur gjithmonë përkrah nesh. Të gjithë po heshtin përballë fushatës ilegale të Serbisë për “çnjohje” apo edhe më keq: po e relativizojnë atë fushatë dhe shkeljet e vazhdueshme pa e fajësuar fare Serbinë. Kjo duhet të na shqetësojë shumë. Në anën tjetër, Serbia po e kapitalizon mosunitetin dhe papërgatitjen tonë për të vazhduar betejën diplomatike nën kthetrat e saj të egra”, përfundoi Haradinaj-Stublla.

Ndërsa, Donika Gërvalla duke folur për mungesën e njohjeve në një intervistë në emisionin “Kallxo Përnime”, ka thënë se janë fokusuar te sigurimi i njohjes nga blloku i 5-shes mosnjohëse të BE-së, Spanja, Rumania, Sllovakia, Greqia dhe Qipro.

Donika Gërvalla

“Tani ne jemi përqendruar shumë në 5 njohjet pa dashur t’i injorojmë pjesën tjetër të botës, por 5 njohjet brenda BE janë tepër të rëndësishme për ne sepse në fund të fundit mund ta na paraqesin pengesa serioze në rrugën tonë drejt integrimeve evropiane dhe atyre në NATO”, ka deklaruar ajo.

Një pjesë të fajit Gërvalla e ka hedhur edhe te moratoriumi 1-vjeçar për të stopuar fushatën për njohje të reja.

“Prandaj, pjesa më e madhe e kohës tonë është investuar në këto njohje që nuk do të thotë që nuk kemi punuar edhe në kontinente të tjera, që mos harroni që një pjesë të madhe të këtij një viti e gjysmë ne kemi pasur një moratorium dhe moratoriumi i cili është dhënë premtimi në Washtington është natyrisht një element i cili na ka bërë të dukemi që njohjet për ne si republikë nuk janë edhe kaq të rëndësishme”, është shprehur tutje ajo.

Në pesë vjetët e fundit, Kosova është njohur vetëm nga dy shtete. Barbadosi në muajin shkurt 2018 si dhe në shkurt 2021 nga Izraeli, me ndërmjetësim të ish-presidentit amerikan, Donald Trump.

Sipas listës zyrtare të Ministrisë së Punëve të Jashtme e Diasporës, Kosova njihet nga 117 shtete.

Shpërndaje në

U Kopjua