Nënkryetari i PDK-së, Uran Ismaili, ka thënë se ishte habi fakti që kryeministri i vendit, Albin Kurti, foli sot në kuvend për gjashtë kushtet në lidhje me asociacionin, pasi sipas tij, nuk ishte fare temë në seancë.
Ismaili tha se Kurti duket që ka qenë më shumë i motivuar prej faktit që presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, e ka pasur seancën në Parlamentin e Serbisë për temën e Kosovës.
“Tani a ka qenë ky një sinkronizim, apo reagim, cilido që të jetë, nuk bie që të jetë një kryeministër as në sinkronizim me Serbinë apo as t’i reagojë në atë formë”.
“Interesante ka qenë që kryeministri Kurti ka folur për disa kushte para deputetëve shqiptarë të Kosovës, pra në një vend ku nuk është beteja. Nuk është Kuvendi i Kosovës që e ka penguar diçka në dialog kryeministrin dhe ai iu ka drejtuar atyre thua se ata kanë pasur kërkesa”, është shprehur Ismaili.
Tutje, sipas Ismailit, përgjegjësi do të ishte sikur Kurti të thirrtë një seancë e deputetëve t’iu thoshte se ka debat me ta.
“Përgjegjësi do të ishte sikur thërret një seancë dhe thua “shiko, kam një debat me ju”, e jo në një pozicion ku ti i ke pesë minuta që flet e të tjerët s’kanë të drejtë të flasin. Pra, kjo s’është as transparente e as koncepti i kuvendit në atë formë s’është t’i japësh llogari si qeveri”.
“Në realitet, presioni i ka ardhur nga kuvendi, por nga pozicioni që Kurti ka pasur me bashkësinë ndërkombëtare”, është shprehur Ismaili.