Më 22 dhjetor nis seanca e shqyrtimit fillestar për dy të dyshuarit për rastin e dhunimit të 11 vjeçares në Prishtinë.
Nga Gjykata Themelore në Prishtinë kanë konfirmuar për Gazetën Onine Reporteri.net se dy të dyshuarit e moshës madhore E.R. dhe SH.K do të dalin para gjykatës javën tjetër, në seancën që do të mbahet në ora 13:00.
“Referuar kërkesës tuaj për informata, ju njoftojmë se seanca e shqyrtimit fillestar për dy të dyshuarit madhor E.R. dhe SH.K. është caktuar me datën 22.12.2022 në ora 13:00”, ka thënë për Reporteri.net zëdhënësja e Gjykatës Themelore në Prishtinë, Mirlinda Gashi.
Lidhur me rastin që dyshohet se ka ndodhur në muajin gusht të vitit 2022, pesë persona janë në paraburgim, 2 madhorë e 3 të mitur dhe ndaj tyre është ngritur aktakuzë.
Sipas aktakuzës, “i pandehuri E.R., ngarkohet për veprat penale “Shërbimet seksuale të viktimës së trafikimit”, nga neni 228 paragrafi 7 lidhur me paragrafin 1 të KPRK-së dhe “Trafikimi me njerëz”, nga neni 165 paragrafi 2 lidhu me paragrafin 1 të KPRK-së, ndërsa i pandehuri Sh.K., ngarkohet për veprën penale “Shërbimet seksuale të viktimës së trafikimit”, nga neni 228 paragrafi 7 lidhur me paragrafin 1 të KPRK-së”, ka njoftuar prokuroria.
“Po ashtu, njëri prej të miturve ngarkohet për veprat penale “Dhunimi”, nga neni 227 paragrafi 8 lidhur me paragrafin 7 dhe paragrafin 4 të KPRK-së, “Trafikimi me njerëz”, nga neni 165 paragrafi 2 lidhur me paragrafin 1 të KPRK-së dhe “Keqpërdorimi i fëmijëve në pornografi”, nga neni 232 par. 1 të KPRK-së.
Ndërkaq, dy të miturit e tjerë ngarkohen për veprat penale “Dhunimi”, nga neni 227 paragrafi 8 lidhur me paragrafin 7 dhe paragrafin 4 të KPRK-së, si dhe për veprën penale “Keqpërdorimi i fëmijëve në pornografi”, nga neni 232 paragrafi 1 lidhur me paragrafin 2 të KPRK-së”, thuhet në njoftim.